Ish-kryeministri Sali Berisha ka ndërhyrë në Parlament duke mbështetur propozimin e një rezolute në OKB-së që të detyrojë Beogradin për njohjen e gjenocidit nga ana serbe në Bosnje Hercegovinë.
Duke kujtuar tragjedinë e ndodhur veçanërisht në Srebrenicë në korrikun e vitit 1995, ku më shumë se 8 mijë boshnjakë u vranë në pak ditë nga forcat pro-serbe në Bosnje, Berisha shtoi se “njohja e gjenocidit është një akt i domosdoshëm për kombet dhe shoqëritë e civilizuara. Ata që nuk e njohin, kanë ndërgjegje parahistorike.
Njohja e gjenocidit është një kusht që mos të përsëritet më. Nuk ka asnjë synim ndëshkimor ndaj gjeneratës serbe të sotme, por padyshim udhëheqësit e sotëm janë arkitektët e këtij gjenocidi.
Aleksander Vucic është regjistruar duke thënë që për çdo serb duhet të vdesin 100 myslimanë. Ne kemi detyrim po ka madhor për të dënuar gjenocidin, i sanksionuar në Hagë dhe në Gjykatën ndërkombëtare të krimeve të luftës në ish-Jugosllavi. Kemi të bëjmë me gjenocid të pranuar nga mbarë vendet e qytetëruara”.
Ish-kryeministri sulmoi direkt presidentin serb Aleksander Vucic , duke thënë se “në rast se Ballkani ndodhet sot në këtë situatë, nëse nuk ecën drejt bashkimit Europian, një nga shkaqet është qëndrimi i gabuar i komunitetit ndërkombëtar ndaj Aleksander Vucic.
Ai është frymëzues i gjenocidit serb, ky njeri është një Putin i vogël i gatshëm t’i përsërisë atë në çdo kohë. Shqipëria ka marrëdhënie miqësore me Bosnjen, ju ftoj të votojmë këtë rezolutë si një detyrim i një populli të martirizuar, duke detyruar Serbinë të njohë krimet e saj dhe që të ta bazojë tek paqja dhe jo mbi armët ruse dhe kineze bashkëpunimin”.