Presidenti Ilir Meta ka takuar këtë të martë delegacionin e ardhur nga përfaqësuesit e Komisionit të Venecias, të cilët u thirrën nga kuvendi disa ditë më parë pikërisht në lidhje me procesin e shkarkimit të Kreut të Shtetit.
Meta ka postuar në rrjetin social një foto të takimit me delegacionin si dhe një mesazh për politikën, e veçanërisht për maxhorancën, pala e cila kërkon shkarkimin e tij si President.
“Kënaqësi të prisja sot një përfaqësi të Komisionit TëVenecias. Nëse do ishin respektuar rekomandimet e tyre në të kaluarën, Shqipëria kurrë nuk do të ishte në këtë situatë.”-shkruan Meta duke iu referuar indirekt këshillave të këtij komisioni veçanërisht për reformën në drejtësi, që tashmë sipas Presidentit është kthyer në një “Ramaformë”.