Robert Lewandowski e konfirmoi gjatë ditës së sotme (e shtunë) se nuk do të rinovojë kontratën me Bayern Munich dhe po kërkon të vazhdojë karrierën e tij në një klub të ri.
Lojtari i kombetares polake është spekuluar prej kohësh se dëshiron një largim nga Allianz Arena këtë verë, pas një tjetër triumfi në Bundeliga.
Tani, ai i ka thënë klubit qëllimin e tij për të refuzuar ofertën e tyre për rinovimin e kontratës dhe synon të shtyjë për një largim para skadimit të kontratës më 2023.
“Mund të konfirmoj se fola me Hasan Salihamidzic dhe e informova se vendimi ishte marrë… dhe se nuk do ta zgjas kontratën time me FC Bayern”, shpjegoi fillimisht Lewandowski për Sky të shtunën.
“Të dyja palët duhet të mendojnë për të ardhmen. Është më mirë nëse gjejmë zgjidhjen më të mirë për të dyja palët”.
“Unë i thashë Salihamidzicit se nëse vjen një ofertë, atëherë duhet të mendojmë për të – gjithashtu për klubin”.
“Të dyja palët duhet të mendojnë për të ardhmen. Kjo është gjithçka që mund të them”, përfundoi ylli polak.
Ndryshe, sulmuesi i lindur për të shënuar gola ka qenë shumë i lidhur me një transferim te Barcelona dhe katalunasit tashmë janë favorit kryesor për të siguruar shërbimet e tij.