Dastid Koreshi, ambasador dhe përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë pranë Këshillit të Evropës (KiE), në një intervistë me shkrim për Telegrafin është zotuar se do të bëjë gjithçka që do të jetë e nevojshme për të përkrahur anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm.
Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. Që Kosova të anëtarësohet në këtë mekanizëm, i duhen 2/3 e votave të vendeve anëtare. Procedurat kërkojnë që një shtet anëtar i Këshillit të Evropës të propozojë anëtarësimin e Kosovës në Komitetin e Ministrave. Pas kësaj, Asambleja e Këshillit të Evropës kërkon opinion nëse Kosova i plotëson kriteret juridike për t’u bërë anëtar fuqiplotë.
I pyetur nëse Shqipëria është e gatshme ta propozojë anëtarësimin e Kosovës në KiE, Koreshi tha se misioni i Shqipërisë në këtë mekanizëm është plotësisht i përkushtuar në mbështetje të këtij procesi, por sipas tij, mbështetja duhet të vijë edhe nga vendet tjera anëtare në këtë organizatë.
“Shqipëria e ka pjesë të konsoliduar, tashmë, prej kohësh të politikës së saj të jashtme mbështetjen e pakushtëzuar të të gjitha nismave të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Thënë sa më lartë, patjetër që edhe iniciativa e Republikës së Kosovës për të filluar procedurën e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, nuk bën përjashtim”, thuhet në përgjigjen e tij.
“Për më tepër ne besojmë fort që kjo mbështetje nuk duhet të vijë vetëm nga Shqipëria, por nga të gjitha vendet anëtare në këtë organizatë, qofshin këto njohëse dhe jo njohëse të Republikës së Kosovës. Misioni ynë në Strasburg është plotësisht i angazhuar në mbështetje të këtij procesi dhe do të bëj gjithçka që do të jetë e nevojshme”, shtoi ai.
Tutje, Koreshi bëri të ditur se më 31 maj do të mblidhet byroja e Komitetit të Ministrave, e cila siç tha, përcakton projekt agjendën e diskutimeve të Komitetit të Ministrave për javët në vijim.
“Dhe në këtë moment do komunikohet me kryetarin e radhës së Komitetit të Ministrave që tani prej 20 majit është Irlanda, si dhe me Sekretariatin e Këshillit të Evropës për të vendosur datën kur do të merret në shqyrtim kërkesa e Kosovës”.
“Nuk ka rregull të shkruar se kur saktësisht mund të futet në agjendën e diskutimeve, duke qenë se përgatitja e projekt agjendës së takimeve të Komitetit të Ministrave është kompetencë e Byrosë e cila vlerëson rendin e çështjeve dhe radhën e punës, sipas proceseve, por ajo që mund të thuhet me siguri është se procesi tashmë ka filluar dhe do të vijojë për të kaluar të gjitha instancat dhe hallkat e nevojshme brenda Këshillit të Evropës deri në finalizimin e tij me anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës”, thuhet më tej në përgjigjen e Koreshit për Telegrafin.
Ai përmendi edhe disa arsye pse është i rëndësishëm anëtarësimi i Kosovës në këtë këshill.
“Ky anëtarësim do të ofrojë një kontribut të qenësishëm në konsolidimin e demokracisë, shtetit të së drejtës, dhe të drejtave të njeriut në Kosovë. Pavarësisht se Kosova ka një bashkëpunim të rritur së fundmi me këtë organizatë, ky bashkëpunim mbetet i cunguar, pasi qytetarët e Kosovës janë të privuar nga shërbimet e çmuara të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
“Një shembull tjetër është pamundësia që kanë studentët në Kosovë, për të pasur diploma që njihen në të gjithë Evropën, sipas sistemit të Bolonjës, duke qenë se Kosova nuk është palë në Konventën Kulturore të Këshillit të Evropës dhe për t’u bërë palë në këtë konventë duhet me patjetër të jetë anëtare e Këshillit të Evropës. Këto janë vetëm dy shembuj, nga shumë te tjerë, mjaft të rëndësishëm përse anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës është një proces që i shërben drejtpërdrejtë qytetarëve e jo politikës”, theksoi ai.
Kosova ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Britania e Madhe, Finlanda, Austria e Shqipëria, janë vendet të cilat publikisht i kanë dhënë mbështetje të fuqishme Kosovës në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në këtë organizatë.
Gjasat që Kosova të marrë përgjigje pozitive për anëtarësim në KiE janë reale dhe të pritshme sipas njohësve të integrimeve evropiane. Sipas tyre, lufta në Ukrainë mund ta përshpejtojë procesin. Megjithatë, as ata e as institucionet nuk kanë dhënë afate kohore se kur mund të përmbyllet ky proces.