Disa alpinistë kanë humbur jetën dhe të tjerë janë plagosur nga rënia e një blloku të madh akullnajor në Alpet e Zvicrës. Ngjarja ka ndodhur në anën zvicerane të Grand Combin, një masiv malor në një lartësi 4314 metra që ndodhet midis Luginës së Aostës dhe kantonit të Valais. Sipas policisë, atje ishin rreth 15 alpinistë, ndërsa flitet edhe për viktima, por pa specifikuar numrin. Disa prej tyre kanë mundur të evakuohen, ndërsa në operacion janë angazhuar 7 helikopterë dhe rreth dyzet grupe shpëtimi.
Rënia e bllokut akullnajor ndodhi në 3400 metra lartësi, gjatë ngjitjes në Grand Combin në zonën e quajtur “Plateau du Déjeuner”, përgjatë itinerarit “Voie du Gardien”. Në një deklaratë për shtyp në mesditë, policia tha se operacioni vazhdon ende, ndërkohë që alarmi është dhënë që në mëngjes rreth orës 06:20.