Ideja për krijimin e një zone të veçantë zgjedhore për emigrantët që votojnë jashtë vendit nuk gjeti mbështetjen e shoqatës Diaspora për Shqipërinë e Lirë, që e cilëson këtë si një qasje që krijon edhe ndasi mes shqiptarëve.
Në një intervistë për A2 CNN, Bledar Milaqi nënvizoi se një zonë e vetme dobëson peshën e votës së emigrantëve: “Idenë e krijimit të njësisë së 13 e hedhim poshtë sepse krijon klasifikimin “ju shqiptarët e diasporës” dhe nuk reflekton rëndësinë që ka vota e diasporës në bazë të shifrave duke pasur parasysh se kemi gati gjysmën e votuesve që ndodhet jashtë Shqipërisë dhe sipas Alibeajt, kjo do të reflektohej në një njësi që nxjerr deri në 3-4 deputetë dhe nuk reflekton rëndësinë dhe ndryshimin që duhet”.
Nënkryetarja e Këshillit Koordinues të Diasporës, Anila Hyka, thekson rëndësinë e nisjes së procesit të votimit të emigrantëve, por është e hapur ndaj idesë së një zone të posaçme: “Si fillim, të implementohet kjo mënyrë që është akualisht dhe paralelisht me këtë të punohet për mënyrën se si të përfaqësohet diaspora me deputetët e vet në Parlament, por duhet filluar sa më shpejt”.
Duke marrë parasysh vështirësitë që do sillte votimi me prezencën fizike të qytetarëve në qendrat e përcaktuara, Milaqi propozon votimin me postë që aplikohet edhe nga Kosova, por nuk shprehu kundërshti për format digjitale të votimit: “Është modeli i votimit me postë. Kemi lobuar për një model më të thjeshtë. Regjistrimi i qytetarit nëpërmjet platformës eAlbania, ku të bëhet konfirmimi i regjistrimit ose identitetit. Ose mënyra e dërgimit të dokumentit me postë nga KQZ drejt qytetarit ose qytetari e shkarkon dhe e nis pastaj drejt KQZ”.
Hyka nuk e sheh me shqetësim mënyrën e votimit duke propozuar një format hibrid: “Unë do thoja që duhen lënë të hapura dy alternativat, nuk ka sistem perfekt”.
Vullneti politik mbetet një aspekt i rëndësishem për të vënë në jetë votën e emigrantëve dhe nisur nga kjo, diaspora për Shqipërinë e Lirë, nëpërmjet një deklarate për shtyp paralajmëroi se do ketë rezistencë për çdo përpjekje që synon t’u mohojë shqiptarëve jashtë vendit të drejtën e votimit.