Sergio Perez e ka fituar Çmimin e madh të Monacos në Formula 1, duke zënë në befasi madje edhe kundërshtarët që ishin favoritë para tij.
Një garë që zgjati tre orë dhe e mbyll pa kompletuar 77 xhirot e parashikuara. Kjo për shkak të dy flamujve të kuq që u valëvitën gjatë garës, një herë prej shiut e një herë pas aksidentit të Mick Schumacher.
Perez e nisi garën i treti, por përfitoi nga një strategji më e mirë e skuadrës Red Bull, duke arritur të parakalojë në bokse dy makinat Ferrari.
Në vendin e dytë u rendit spanjolli Carlos Sainz me Ferrari e pas tij u klasifikua Max Verstappen me Red Bull (i treti). Vetëm i katërti Charles Leclerc me Ferrarin tjetër, i zhgënjyer nga ky rezultat.
Leclerc e nisi garën nga “pole”, por strategjia e gabuar e gomave diktoi rezultatin e kësaj gare që disi del të jetë e mallkuar për të, pasi nuk ka fituar asnjëherë.
Në xhirot e fundit, katër të parët garuan për fitore, por ishte e pamundur të parakalohej në pistë. Gjithsesi, një garë ku nuk munguan emocionet, teksa shiu bëri që ajo të niste më shumë vonesë.