Rusia vijon agresionin e saj në Ukrainë prej më shumë se 100 ditësh tashmë. Edhe pse Moska e quan operacion special ushtarak, shtetet perëndimore i kanë vendosur sanksione të ashpra vendit pushtues, për të goditur ekonomikisht makinerinë e luftës së Vladimir Putin.
Por ka qenë një shtet europian, i vetmi, që deri më tani nuk ka bërë asnjë hap për ta sanksionuar Rusinë. Bëhet fjalë për Serbinë, shtet ky që ditë më parë arriti marrëveshje pikërisht me Rusinë për furnizim me gaz.
Dhe jo vetëm kaq, dje ministria ruse e Punëve të Jashtme paralajmëroi se kryediplomati rus, Sergei Lavrov do ta vizitojë Serbinë më 6 dhe 7 qershor, tri ditë para se kancelari gjerman, Olaf Scholz të shkojë në Beograd.
Po ashtu, më herët gjatë agresionit, është raportuar për një numër vullnetarësh serbë që po luftojnë në anën e forcave ruse në Donbas, përfshirë Donteskun dhe Luhanskin, si dy qytetet kryesore në këtë rajon.
Ndërsa të premten janë publikuar fotografi të forcave ruse në Shevchenko, rajonin e Kharkivit, ku është raportuar për krime të shumta ndaj civilëve ukrainas. Në këtë fotografi, forcat ruse pozojnë para një tanku në të cilin është shkruar në rusisht “Serbia”.
Ky mbishkrim i heqë të gjitha dyshimet se Rusia mbështetet fuqishëm në Serbinë dhe në politikën e saj destruktive në Ballkanin Perëndimor.