Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në takimin e organizuar nga Shoqata e Alpinistëve, ku morën pjesë alpinistë dhe bjeshkatarë nga Kosova, Shqipëria dhe vendet tjera të rajonit, i cili u mbajt në Livadhin e Pajtimit të Gjaqeve në Shtupeq të Rugovës.
Me këtë rast, Haradinaj para alpinistëve dhe bjeshkatarëve të shumtë tha se sot janë në një vend që ka shumë histori, në Rugovë, ku ska vend, s’ka lis, s’ka guri, s’ka zonë që s’ka histori dhe që s’lidhet me emra të njerëzve.
Më tej, kryeministri në detyrë, Haradinaj, tha se sot i ka mbledhur brezi i ri i njerëzve të Rugovës, Pejës dhe Dukagjinit.
Duke i uruar për sukseset, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se kjo ngjarje i bënë të ndihen mirë dhe krenar pasi në mesin e tyre janë Mrika e Arianiti të cilët e kanë thyer rekordin botëror. “Mrika e cila ka ngjitur shtatë majat më të larta të botës, është kjo një e arritur vërtetë e madhe e cila ka pasur momente të vështira dhe sfida dhe e di se për Mrikën dhe Arianitin ky është tani një satisfaksion i madh, se pas gjithë kësaj, janë sot me njerëzit e tyre më të dashur dhe unë po ndihem shumë mirë. Urime Mrika, urime Arianit! Me fat!”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj në fjalën e tij.