Një person i dyshuar si agjent rus është kapur në aeroportin e Londrës “Gatwick” teksa po përpiqej të hipte në avion për t’u larguar nga Britania e Madhe
Një person i dyshuar si agjent rus është kapur në aeroportin e Londrës “Gatwick” teksa po përpiqej të hipte në avion për t’u larguar nga Britania e Madhe.
Në deklaratën e Shërbimit Policor të Londrës thuhet se të hënën oficerët e njësisë së anti-terrorizmit arrestuan një person rreth moshës 40-vjeçare në aeroportin “Gatwick”, sipas Aktit të Sekreteve Zyrtare të vitit 1911, i cili e shpall të jashtëligjshëm spiunazhin.
Mësohet se personi, emri i të cilit nuk bëhet i ditur ende është nën arrest dhe vazhdon të merret në pyetje.
Gazeta “Guardian” shkruan se personi në fjalë është mashkull dhe dyshohet se punon për Rusinë. Në lajm thuhet se policia e dinte që ky person po përpiqej të largohej nga Britania dhe po priste në aeroportin Gatwick.
Marrëdhëniet midis Londrës dhe Moskës u përkeqësuan si pasojë e luftës në Ukrainë dhe kur një sulm me gaz brenda Britanisë synoi një kritik të liderit rus, Vladimir Putin në vitin 2018.
Shërbimet britanike të sigurisë, të cilat intensifikuan punën e tyre kundër spiunazhit, paralajmëruan publikun për kërcënimin në rritje.