Kancelari austriak, Sebastian Kurz, ka thënë se vendi i tij i mbështet të gjitha zgjidhjet që do të arriheshin në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përfshirë edhe korrigjimin e kufijve.
“Qëndrimi ynë është i qartë, do të mbështesim gjithçka për të cilën do të merreshin vesh palët, përfshirë edhe korrigjimin e mundshëm të kufirit, nëse kjo çon drejt një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse që çon në stabilitet. Qëllimi duhet të jetë që të gjitha çështjet e hapura të zgjidhen me marrëveshje”, ka thënë Kurz.
Ai e ka quajtur sinjal të mirë emërimin e Mathew Palmer si të dërguar special për Ballkanin duke thënë se ai mund të kontribuojë për gjetjen e një zgjidhjeje.
“Gjatë vizitës sime në Shtëpi të Bardhë kam diskutuar për përpjekjet tona të përbashkëta me Presidentin Donald Trump. SHBA-ja rreth kësaj çështjeje janë të angazhuara për një kohë të gjatë bashkë me BE-në, që është shumë e rëndësishme. Pikërisht për këtë është sinjal i mirë që është emëruar emisari special dhe shpresoj që ai do të mundë të kontribuojë në gjetjen e zgjidhjes. Jam i bindur që BE-ja do të bashkëpunojë ngushtë me të”, ka thënë Kurz.