Kryeministri Edi Rama, me anë të një statusi në Twitter, e konsideroi “turp” për Europën atë që e quajti çështja bullgare.
“Është një ditë e re në Europë, por jo në Bullgari. Çfarë turpi për Europën kjo çështje bullgare. Në mes të një lufte në oborrin e pasmë të saj, një vend i NATO-s merr peng dy vende të tjera të NATO-s, nën vëzhgimin e 26 vendeve të BE-së, që po tregohen të pafuqishme”, shkroi Rama në rrjetin social.
Ndërkohë, duke folur për mediat nga Samiti i Bashkimit Europian në Bruksel, ka akuzuar sërish Bullgarinë se në mënyrë të turpshme po mban peng anëtarësimin e dy vende anëtare të NATO-s.
“Ne s’do të jemi kurrë viktimë, sepse e dimë që në këtë rrugë ka një Bullgari këtu dhe një Bullgari atje, por ne nuk e ndryshojmë kursin tonë dhe duhet të ndërtojmë Europën në vendin tonë. Jeni rrëmujë ju (duke iu drejtuar mediave bullgare). Një rrëmujë e madhe dhe jeni një turp, është mëkat që mbani peng dy vende të tjera të NATO-s. Nuk pres lajme të mira sot, sepse siç e thashë dje, u ngrit paksa optimizmi, por ja ku jemi: një ditë e re në Europë, por jo në Bullgari”, u shpreh ai.
Më vonë, Rama reagoi sërish në Twitter: “Ende po prisni Godonë?! Jo, ne jemi mësuar me këtë sharadë dhe jemi më shumë se kurrë të përkushtuar që të shtyjmë përpara modernizimin e vendeve dhe rajonit tonë me frymë të palëkundur evropiane”.