Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e ka quajtur dështim të madh Samitin e Bashkimit Evropian me liderët e Ballkanit Perëndimor.
Në një postim në Twitter, Von Cramon ka thënë se mosmarrja e asnjë vendimi pozitiv për vendet e Ballkanit, është sinjal katastrofik.
E nga kjo situatë sipas saj është e lumtur vetëm Rusia dhe Vladimir Putini.
“Ky samit BE-Ballkan Perëndimor ka qenë dështim i madh. Dërgon sinjal katastrofik. Është vetëm një njeri i lumtur nga kjo situatë dhe ai ulet në Kremlin”.
“U thanë të udhëtojnë në Bruksel, të gjashtë vendeve, dhe nuk iu dhanë asgjë, për asgjë. Bosnja nuk e mori statusin e kandidatit, edhe më keq Shqipëria e Maqedonia e Veriut nuk nisën negociatat e pranimit dhe Kosova nuk mori liberalizimin e vizave”.
“Më duhet të pranoj se jam tmerrësisht e zhgënjyer, dhe kur Komisioni Evropian po e quante veten komision gjeopolitik, kjo është shaka”, ka shkruar Von Cramon.
Një ditë më parë u mbajt Samiti i Bashkimit Evropian me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa përveç retorikës së kamotshme se BE-ja është e përkushtuar ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit, nuk doli diçka konkrete nga ky samit as sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave.
Megjithëse kishte shpresa se do të lëvizte diçka në këtë drejtim, Kosova vazhdon të mos e gëzojë të drejtën e lëvizjes së lirë ndonëse Komisioni Evropian dy herë ka theksuar se vendi i ka plotësuar kushtet. Franca dhe Holanda janë dy vendet që konsiderohen skeptike sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovës.