Kryeministri Edi Rama publikoi në llogarinë e tij në Facebook pamje nga ceremonia e inaugurimit të hapjes për qarkullim të rrugës së re Kardhiq-Delvinë dhe të tunelit të Skërficës.
“Një aks i ri i Shqipërisë, i cili shkurton me 45 minuta udhëtimin drejt Sarandës duke rritur sigurinë rrugore si edhe ofruar një tjetër spektakël të natyrës shqiptare”, shkroi Rama në Facebook.
Tuneli i Skërficës ka një gjatësi prej 1,3 km, i shoqëruar edhe me tunelin e emergjencës me gjatësi 670 m, sipas të gjitha kushteve të sigurisë.
Kryeministri shoqërohej në këtë inaugurim nga disa ministra të kabinetit dhe deputetë, ndërsa u prit me këngë e valle popullore, por edhe nga një grup fëmijësh që luajtën në violinë.
Në hyrje të tunelit ishin mbledhur disa qindra banorë të zonës, ndërsa në dalje ishin ngritur stenda me produkte dhe gatime të zonës.
“Aksi Kardhiq-Delvinë, një vepër e nisur në vitin 2008”, tha ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku. “Do të lidhë Gjirokastrën dhe Sarandën, por edhe Tepelenën. Siç e themi shpesh, është bërë edhe Gjirokastra dhe Tepelena me det”.
“Praktikisht është një revolucion sa i përket zhvillimit të hartës turistike, sepse itineraret kanë qenë deri tani me një kah, vetëm për në Sarandë apo deri në Gjirokastër. Ndërsa tani, Sarandë-Gjirokastër bëhet maksimumi 40 minuta. Tani harta turistike nuk është vetëm detare”, tha ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro.