Kreu i grupit kriminal serb, njëherësh nënkryetar i Listës Serbe, Milan Radojçiq përmes një video mesazhi është paraqitur me tone kërcënuese ndaj serbëve të Kosovës.
Radojçiq që është i sanksionuar nga Thesari amerikan (OFAC), pretendon se këtë video e ka incizuar në Kosovë shihet duke kërcënuar qytetarët për t’iu bindur grupeve kriminale.
I kërkuari nga autoritetet e sigurisë së Kosovës, duke parë se ka humbur mbështetjen nga serbët, është munduar që t’i shantazhojë ata, të cilët tashmë e kanë kuptuar se janë shfrytëzuar si instrument politik nga Beogradi.
“Terrori i vërtetë kundër popullit tonë serb po fillon tani. Për popullin tim në veri dhe për të gjithë serbët, vetëm më lejoni t’u them, dhe atyre të tjerëve, unë jam këtu, jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë sepse nga këtu nuk ka kthim prapa. Rroftë Serbia”, tha Radojçiq, duke pretenduar se po lajmërohet nga Leposaviqi.
Paraqitja e Radojçiqit në mediet e kontrolluara nga regjimi i Aleksandar Vuçiqit, si: “Kosovo Online”, “Alo”, “Informer”, të cilat për ditë të tëra kanë terrorizuar opinionin publik në Serbi me tituj lufte për Kosovën, është vazhdimësi e gjuhës kërcënuese të përdorur nga krerët serbë.
Në fund të vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin vendosur sanksione ndaj një grupi të krimit të organizuar që vepron në veri të Kosovës, në krye të së cilit është Zvonko Veselinoviq.
Sipas Zyrës së Kontrollit për Pasuritë e Huaja të Departamentit të Thesarit (OFAC), përveç Veselinoviqit në grupin e krimit të organizuar që vepron në veri të Kosovësa janë edhe i vëllai Zvonkos, Zharko Veselinoviq, pastaj Zhelko Bojiq, Milan Mihajloviq, Sinisha Nedeljkoviq, Radovan Radiq, Milan Radisavleviq, Milojko Radisavleviq, Milan Radojçiq, Marko Rosiq, Radule Steviq, Milivoje Vuloviq.