Presidenti i Republikës Ilir Meta përshëndeti protestën e 7 korrikut duke e cilësuar atë si imazhin më të bukur të një demokracie në veprim. Në një postim në Facebook, Meta e quajti të pajustifikueshme indiferencën përballë atyre që i konsideron si megaskandale korruptive.
“Kauzat e vërteta dhe të drejta, që u ngritën gjatë kësaj proteste, duhet të zgjojnë të gjitha institucionet pa vonesë. Nuk mund të ketë asnjë justifikim ndaj palëvizshmërisë së organeve të drejtësisë pas megaskandaleve korruptive, që vazhdojnë të zbulohen dhe denoncohen çdo ditë”
Presidenti Ilir Meta / Facebook
Kreu i shtetit kërkoi nga institucionet që të dëgjojnë zërin e qytetarëve dhe të marrin përgjegjësitë e tyre për situatën ku ndodhet vendi.
“Nuk mund të mbulohet me asnjë fantazi varfëria e skajshme, që po i detyron shqiptarët të mërgojnë plot dëshpërim. Uroj që zëri qytetar të dëgjohet dhe kuptohet si duhet, duke nxitur llogaridhënien në të gjitha nivelet, së bashku me marrjen e përgjegjësive si detyrim ligjor dhe njëkohësisht politik”
Presidenti Ilir Meta / Facebook
Sipas Presidentit, mesazhet paqësore që dha protesta e të enjtes, përveçse ishin shpresëdhënëse, e bëjnë Shqipërinë një vend më europian dhe më demokratik.