Mediat greke kanë ngritur alarmin për projektligjin që i hap rrugë legalizimit të kanabisit mjekësor në vendin tonë.
Në një artikull të botuar nga “News247.gr”, thuhet se kryeministri Edi Rama duket se këtë herë “nuk po luan blofin” për çështjen e kanabisit dhe do ta vërë atë në praktikë
“Shqipëria legalizon kanabisin -Një Kolumbi pranë kufirit grek”, është titulli i medias greke, ndërsa ngrihet shqetsësimi për kërcënimin që kanoset vendit të tyre.
Sipas medias, institucionet greke po përpiqen të kuptojnë se çfarë do të thotë e gjithë kjo dhe sesa do të ndikojë Greqinë, duke vënë në pah kalimin e lëndëve narkotike përmes kufijve tanë.
“Duke pasur parasysh treguesit e korrupsionit në Shqipërinë fqinje, por edhe përvojën e hidhur të fundit të Maqedonisë së Veriut për legalizimin e kanabisit medicinal, të gjithë janë dakord se e nesërmja në kufi nuk do të jetë e njëjta”, thuhet në shkrim.
Pjesë nga artikulli:
“Javën e kaluar, kryeministri shqiptar Edi Rama vuri në praktikë atë që ishte diskutuar muajt e fundit në Tiranë, por më shumë dukej si një farsë sesa një debat politik. Ai vuri në konsultim publik një projektligj për legalizimin e prodhimit të kanabisit për përdorim mjekësor dhe industrial. Ai u hartua nga Ministria Shqiptare e Shëndetësisë dhe do të dalë në Kuvend për votim në javët në vijim. Rama këtë herë duket se nuk po bën bllof.
Deputetët e opozitës e cilësuan vendimin si “çmenduri”. Sipas raportit të këtij viti të Zyrës së OKB-së për Drogën dhe Krimin, Shqipëria, me një popullsi prej 2.8 milionë banorësh, është vendi i shtatë në botë për sa i përket prodhimit dhe trafikimit të paligjshëm të kanabisit, pas Marokut, Afganistanit, Spanjës, Holandës, Pakistani dhe Libani”.
“Është çmenduri”, komentoi Enkelejd Alibeaj , deputet i opozitës shqiptare. “Edi Rama është i vetmi kryeministër në Europë, ish-ministri i të cilit u burgos për shkak të lidhjes së tij me organizata kriminale që merren me kanabis”, tha Alibeaj. “Por ai duket se ka harruar – ose pretendon se ka harruar – dhe tani nën maskën e rritjes së tij për përdorim mjekësor dhe industrial, ai po përpiqet të legalizojë prodhimin.”
Në të njëjtën kohë, institucionet greke po përpiqen të kuptojnë se çfarë do të thotë e gjithë kjo. Pjesa më e madhe e prodhimit shqiptar, pra shumë tonë në vit, eksportohet në Itali dhe Greqi. Në katër vitet e fundit në kufirin greko-shqiptar janë sekuestruar mbi 13 ton kanabis të papërpunuar. Rrugët nga Kastoria dhe Janina konsiderohen si kalimet më të rëndësishme për trafikun e “barit” në Europë, që përkthehet në miliona euro fitime në të dyja anët e kufirit.
Duke pasur parasysh treguesit e korrupsionit në Shqipërinë fqinje, por edhe përvojën e hidhur të fundit të Maqedonisë së Veriut për legalizimin e kanabisit medicinal, të gjithë janë dakord se e nesërmja në kufi nuk do të jetë e njëjta.