“OBRM-PDUKM do ta mbështesë Qeverinë e Kovaçevskit nëse deputetët e LSDM-së e refuzojnë propozimin francez në Kuvend”, tha lideri i opozitës maqedonase në një video-mesazh që partia e tij e publikoi sot.
Mesazhi i Mickoskit vjen pas mbledhjes së djeshme të bordit të partisë në pushtet LSDM ku, siç u informua publiku, njëzëri e kanë pranuar propozimin francez.
“Me këtë vendim, Bordi Qendror i LSDM-së mbështet procesin e fillimit të negociatave për anëtarësim të plotë në BE sipas Propozimit, Kornizës negociuese për negociatat për anëtarësim me Unionin nga propozimi i fundit evropian i 30 qershorit 2022, i propozuar nga presidenca franceze. LSDM, si parti shtetformuese, mbetet e palëkundur në vendosmërinë e saj për respektimin e pakushtëzuar të gjuhës, identitetit, veçorive historike dhe kulturore të popullit maqedonas, si elementë që në asnjë rrethanë nuk janë të negociueshme me BE-në”, thënë nga LSDM.
“Kemi një propozim që garanton një gjuhë të pastër maqedonase në BE, çështje historike dhe bilaterale jashtë kornizës së negociatave”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski, duke shtuar se propozimi francez mbyll të gjitha çështjet diskutabile dhe dyshuese me Bullgarinë.
Qeveria planifikon që informacionin për propozimin francez ta kalojë me shumicë të thjeshtë në Parlament.
Për këtë LSDM deri më tani ka përkrahje vetëm nga deputetët e partive etnike shqiptare.
Kundër u shprehën edhe partnerët e vegjël të koalicionit nga blloku qeverisës, por asnjëri prej tyre nuk planifikon të largohet nga qeveria për shkak të kësaj.