Raportuesi i Bundestagut gjerman për Ballkanin Perëndimor, Adis Ahmetoviç tha sot se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut meritojnë nisjen e negociatave me BE-në.
Në një konferencë për mediet gjatë vizitës së tij në Tiranë, eurodeputeti gjerman tha se ka ende vend për optimizëm ndërsa shtoi se BE duhet të lëvizë në drejt Ballkanit Perëndimor.
“Maqedonia e Veriut ka bërë kaq shumë gjera për ta marrë këtë hap të mëtejshëm, për ta hedhur këtë hap. Ata ndryshuan emrin e vendit pa konflikte. Ne e njohim mendësinë këtu në Ballkanin Perëndimor në çështjet me identitetin që lidhen me gjuhën, emrat, që lidhen me besimet fetare. Sërish kemi diskutimin me Bullgarinë për shkak të gjuhës”, ka thënë Ahmetoviç.
“Franca ka arritur të bëjë përpjekje për kompromis për një zgjidhje dhe në fillim le të promovojmë këtë zgjidhje. Kemi dhe këtë javë për ta nxitur këtë zgjidhje dhe për të bindur Maqedoninë e Veriut, parlamentin që kjo është zgjidhja e duhur. Gjeja më e mirë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është të ecin së bashku në këtë rrugëtim. Kështu ne e mbështesim përshkuarjen e kësaj rruge së bashku të të dy vendeve”, tha ai.
“Të dy vendet e meritojnë këtë hap dhe për këtë shkak unë vendosa të udhëtoj në Shqipëri për të bindur njerëzit për idenë e Bashkimit Europian. Shqipëria është pjesë e BE dhe ju meritoni të jeni pjesë e BE. Ishin gabimet tona tre javë më parë. Megjithatë ka vend për optimizëm”, sipas eurodeputetit.
“Ju duhet të vazhdoni të jeni optimistë. Ne duhet të lëvizim në drejtimin tuaj sepse ju keni bërë shumë. Pas kësaj vizite në Shqipëri unë do të takohem me disa anëtarë të qeverisë të Maqedonisë së Veriut për të promovuar zgjidhje. Mund ta nisim me elemente teknike për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo është një shenjë dhe sinjal i mirë edhe për vendet e tjera në rajon. Na duhet një Shqipëri dhe një Maqedoni e Veriut e fortë”, deklaroi ai.
Ai theksoi se në kohët që po jetojmë nuk mund të ndodhë që një vend të vendosë me anë të vetos për të ardhmen e një rajoni. Prandaj sipas tij duhet të ndryshojë ky parim i punës së BE-së.
“Në këto kohë dinamike me kaq probleme na duhet një reformim i BE-së dhe kancelari Olaf Scholz e ka thënë në Bundestag që duhet të punojmë për këtë. Nuk duhet të ndodhë që një vend të vendosë për të ardhmen e një rajoni të tërë prej 6 vendesh sepse nuk janë dakord me një ose dy gjëra. Ndoshta në fillim të ndërtimit të këtij BE ishte vendim i mirë për të ndërtuar besim mes vendeve. Por ky instrument vetoje po përdoret shumë shpesh për gjëra egoiste dhe për shkak të kësaj na duhet ta ndryshojmë”, u shpreh Ahmetoviç.
Lidhur me nismën “Ballkani i Hapur” dhe rolin e saj përballë Procesit të Berlinit, eurodeputeti gjerman tha se “ideja e Ballkanit të Hapur përgjithësisht nuk është një ide e keqe. Çdo ide për të ndërlidhur 6 vendet është e mirë, por në krye të bashkëpunimit të 6 vendeve kemi Procesin e Berlinit dhe procesi i Ballkanit të Hapur mund të jetë vetëm një element i procesit të jashtëzakonshëm dhe të madh të Berlinit”.
“ Është mirë të flasësh për Ballkanin e Hapur ndoshta dhe në konferencën e ardhshme të procesit të Berlinit ndoshta në shtator apo tetor, por këtë vit Kancelari Sholcz do të zhvillojë një takim me të gjithë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor. Pra nuk mund t’i themi kategorikisht jo idesë së Ballkanit të Hapur, duhet t’i japim një shans kësaj ideje, por është vetëm një elementi i Procesit të Berlinit dhe kreu i këtij procesi është Berlini dhe jo Ballkani i Hapur”, tha Ahmetovic. /Telegrafi/