Kosova
Kryetarja e Themelores në Prishtinë kundër vettingut për gjyqtarët
Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama deklaroi se vettingu i mundshëm për gjyqtarët do të dëmtonte dhe do të mbingarkonte institucionin që drejton. Ajo pajtohet që t’i nënshtrohet këtij procesi si kryetare e Gjykatës Themelore por është kundër që në të njëjtin të kalojnë edhe gjyqtarët e Prishtinës.
Në një intervistë për KosovaPress, Shabani-Rama foli edhe për numrin e madh të lëndëve që janë në pritje për shqyrtim dhe nevojën për ngritjen e kapaciteteve të gjykatës që drejton.
Grumbullimi i lëndëve mbetet sfidë për Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe ajo druhet se numri i tyre mund të rritet edhe më shumë nëse gjyqtarët i nënshtrohen vettingut.
“Nuk jam pro vettingut për shkak se konsideroj se do t’i bënte vetëm më shumë dëm, flas për gjykatën time, sepse vettingu është një proces i cili merr kohë dhe konsideroj se do t’i bëhet vetëm dëm dhe do të shtojë më shumë grumbullim të lëndëve.
Në anën tjetër, në gjykatën tonë mbi 90% janë gjyqtarë të rinj të cilët nuk kanë as 5 vjet përvojë pune, të gjithë kanë kaluar nëpër procese të verifikimit dhe procese të ndryshme.
Nuk e konsideroj të nevojshme, unë konsideroj që më e nevojshme është fakti që të ndihmohet gjykata, të ngrihen kapacitetet e kësaj gjykate dhe pastaj t’i shohim rezultatet. Sa i përket pjesës tjetër, për kryetarë dhe anëtarë të Këshillit, për mua është në rregull, nuk kam ndonjë koment, nëse ashtu e parasheh dhe e ka propozuar qeveria dhe ligjvënësi e voton, në rregull është, konsideroj se pjesa jonë nuk bënë shumë pengesë në gjykim, por për gjyqtarët është proces i rrezikshëm nëse i hyjmë asaj pjese sepse kemi për t’i bërë dëm më së shumti qytetarit”, thotë Shabani-Rama.
Ajo shprehet se tashmë ka një tendencë të rritjes së lëndëve, kryesisht të natyrës civile.
Vetëm në vitin e kaluar, ajo tha se i kanë pranuar mbi 11 mijë lëndë të reja, e trendi i rritjes thekson se po vazhdon edhe këtë vit.
“Qysh prej vitit të kaluar kemi parë një tendencë në rritje të lëndëve të gjitha natyrave, por me theks të veçantë të natyrës civile dhe kryesisht janë lëndë të cilat vijnë nga ana e punëtorëve publikë të institucioneve arsimore, mjekësore por edhe institucione të tjera si policia e Shërbimi Korrektues që janë si pasojë e mosrealizimit të kontratës kolektive nga ana e qeverisë por edhe nga ana e Komunave e institucioneve të tjera.
Dhe në këtë aspekt është rritur numri shumë, kështu që në vitin e kaluar kemi pas dyfishim të rritjes së numrit të lëndëve në procedurë kontestimore-civile, ku mbi 11 mijë lëndë i kemi pranuar por edhe këtë vit vazhdon njësoj trendi i rritjes së lëndëve, përndryshe edhe në Penale dhe Administrative dhe në Departamentin e Krimeve të Rënda, kemi një tendencë të rritjes së lëndëve në ardhje”, u shpreh ajo.
Gjyqtarja Shabani-Rama si sfidë kryesore për këtë gjykatë e konsideron numrin e madh të lëndëve të grumbulluara ndër vite.
“Sfida kryesore e kësaj gjykate është numri i madh i lëndëve të grumbulluar ndër vite dhe që po e vështirëson edhe më shumë numri i madh i lëndëve në ardhje në raport me numrin e vogël të gjyqtarëve që kemi.
Këtë vit Gjykata Themelore e Prishtinës ka pasur një largim bukur të madh të gjyqtarëve, për shkak se një pjesë e tyre janë avancuar dhe një pjesë e tyre kanë kaluar në Gjykatën Komerciale që pritet të realizohet muajin e ardhshëm.
Kjo e ka dëmtuar njëfarë mënyrë Gjykatën Themelore të Prishtinës shumë, kemi një disbalancë, në njërën anë kemi lëndë të grumbulluara, numër të madh të lëndëve në rritje, ndërsa në anën tjetër kemi edhe numër të paktë të gjyqtarëve, por edhe stafit tjetër administrativ apo mbështetës. Ne fatmirësisht së fundmi kemi pranuar 20 gjyqtarë të rinj, për neve ka qenë një lajm shumë i mirë, presim që brenda 6 muajve të fillojnë punën…
Ky numër i gjyqtarëve nuk e mbulon as numrin e tyre që janë larguar këtë vit.. Kërkesa jonë dhe e imja si kryetare e kësaj gjykate është që të përmbushet numri i gjyqtarëve se ajo është nevojë që ajo duhet të bëhet në mënyrë të vazhdueshme”, theksoi ajo.
Në Gjykatën Themelore të Prishtinë janë në pritje rreth 80 mijë lëndë.
Krahas numrit të madh të lëndëve, Shabani-Rama rendit si sfidë edhe identifikimin e adresave.
“Kemi përafërsisht rreth 80 mijë lëndë që presin, kështu që unë e them se është një numër prej 30 deri në 50 (gjyqtarë) që nevojitet përtej strukturës së paraparë, kështu do të mund ta heqim këtë grumbullim të lëndëve dhe për një kohë të stabilizojmë pak gjendjen me lëndë sepse përndryshe do të ketë zvarritje të lëndëve gjatë nëse vazhdojmë me këtë trend që e kemi, qoftë me largimin e gjyqtarëve, qoftë të ardhjes së lëndëve dhe grumbullimit (të lëndëve) të vjetra”, thotë ajo.
Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë për KosovaPress, thotë se tashmë mbi 99% të lëndëve të shënjestruara janë në proces.
“Me vendimin tim si kryetare kanë kaluar të gjitha në Departament Special, mund t’iu them që mbi 99% të tyre janë në punë, janë në proces në përjashtim të ndonjë që është kthyer tash kohët e fundit në rivendosje, është duke vazhduar procesi sepse janë lëndë më të komplikuara dhe do të thotë nevojitet kohë me e gjatë për trajtimin për të ardhur deri te një vendim”, theksoi Shabani-Rama.
Albina Shabani-Rama shprehet se viteve të fundit është rritur numri i lëndëve të dhunës në familjeve, por shtoi se në trajtim të këtyre lëndëve nuk ka vonesa.
Me qëllim të uljes së numrit të lëndëve civile që presin trajtim në Gjykatën Themelore të Prishtinë, e para e këtij institucioni, tha se po promovojnë procedurën e ndërmjetësimit.
Kosova
I dhanë mundësinë të krijojë qeverinë pa opozitën, Kurti mesazh falënderues për të gjithë votuesit e LVV: U jemi mirënjohës përjetë
Me një mesazh falënderues u është drejtuar Albin Kurti të gjithë votuesve të partisë së tij në zgjedhjet e jashtëzakonshme që u mbajtën dje në Kosovë, dhe që i dhanë mundësinë të krijojë qeverinë pa opozitën.
Kurti tha se puna vazhdon, dhe premtoi se siguria e begatia do të shtohen.
“Në dhjetë ditë fushatë, dhjetëra mijëra duar të shtrënguara e mijëra dyer të hapura nga ju në qindra takime e tubime anembanë.
Na pritët me ngrohtësi e besim, e për këtë ju falënderoj përzemërsisht. Jeni shumë, madje aq shumë sa shumicës nuk ua njohim e dimë emrin. Dhe, u angazhuat pa kursim për fitoren e VETËVENDOSJE!-s me partnerë, për fitoren tuaj.
Të dashur bashkatdhetarë që erdhët nga Evropa, Amerika e nga çdo cep i botës, ose që votuat me postë apo fizikisht pardje në ambasadat e konsullatat tona, u jemi mirënjohës përjetë për kontributin tuaj të pamatshëm për liri e shtet dhe komb, si dhe për përkrahjen vendimtare që e bëri fitoren në këto zgjedhje aq madhështore saqë historike.
Puna vazhdon, siguria e begatia do të shtohen. Na priftë e mbara!”, shkruan Kurti.
Kosova
“Kurti fitues pas muajsh bllokade politike”, BBC: Normalizimi i marrëdhënieve me Brukselin dhe Uashingtonin në axhendën e qeverisë së re
Partia nacionaliste shqiptare Vetëvendosje ka fituar një fitore bindëse në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, sipas rezultateve paraprake.
Me 90% të votave të numëruara, kjo parti, emri i së cilës do të thotë “vetëvendosje”, ka marrë 50.8% të votave, çka i siguron liderit të saj, Albin Kurti, një mandat të tretë në pushtet.
Dy partitë kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e qendrës së djathtë dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kanë marrë përkatësisht 20.98% dhe 13.89% të votave.
Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet edhe në muajin shkurt, por pa arritur shumicën, dhe Kosova ka qenë pa një qeveri funksionale që nga ajo kohë.
Kjo bllokadë ngriti një pyetje të madhe mbi këto zgjedhje të dyta parlamentare brenda vitit: a do ta ndëshkonin votuesit Kurtin për muajt e gjatë të ngërçit në Kuvendin e Kosovës, apo partitë opozitare që refuzuan të merrnin parasysh një koalicion me lëvizjen e tij të majtë?
Elektorati ka dhënë një përgjigje të qartë. Edhe pse rezultati nuk mjafton për t’i siguruar Kurtit qeverisje pa partnerë koalicioni, ai nuk pritet ta ketë të vështirë të gjejë mbështetje te deputetët e partive të pakicave etnike, të cilat kanë të garantuara 20 nga 120 vendet në Kuvend.
Kjo është fitorja e katërt radhazi e Vetëvendosjes në zgjedhjet parlamentare. Rezultati përbën një rehabilitim politik pas bllokimit nga partitë opozitare të përpjekjeve të Kurtit për të formuar qeveri pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Kurti e quajti këtë “fitoren më të madhe në historinë e vendit” dhe tha se pret që opozita këtë herë të bashkëpunojë, e jo të pengojë proceset.
Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e renditur e treta, sinjalizoi se kjo mund të jetë e mundur. “Kur flasin votuesit, rezultati nuk mund të injorohet,” shkroi ai në rrjetet sociale. “Kërkohet reflektim dhe veprim i përgjegjshëm,” shtoi ai.
Në lojë janë shumë interesa. Kosova ka humbur qindra miliona euro fonde nga Bashkimi Evropian për shkak të mungesës së një qeverie funksionale. Kurti përmendi gjithashtu marrëveshje të mundshme me Bankën Botërore, të cilat do ta çonin shumën totale në mbi 1 miliard euro.
Rregullimi i marrëdhënieve me mbështetësit kryesorë ndërkombëtarë të Kosovës, BE-në dhe SHBA-në, pritet gjithashtu të jetë në axhendë. Kurti ka zemëruar Brukselin dhe Uashingtonin duke ndërmarrë vazhdimisht veprime ndaj institucioneve që u shërbejnë pakicës serbe në Kosovë – nga zyrat postare deri te institucionet shëndetësore – duke rritur tensionet në veriun e Kosovës me shumicë serbe.
BE-ja ka rënë dakord më në fund të heqë masat ndëshkuese të vendosura në vitin 2023, por pritet të kërkojë nga Kurti një qasje më pragmatike ndaj dialogut të ngecur për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, në vend të vijës së tij zakonisht dogmatike. Duke pasur parasysh marrëdhëniet e ftohta me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, kjo mund të mbetet një shpresë e kotë.
Fakti që votuesit e Kosovës kanë mbështetur fuqishëm një figurë kaq polarizuese pasqyron pakënaqësinë e tyre ndaj alternativave. Partitë e lidhura me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dominuan qeverisjen në dekadën pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë në vitin 2008, por nuk arritën të përmbushin premtimet për prosperitet.
Një analist, Artan Muhaxhiri, vuri në dukje “shkeljet e panumërta të kushtetutës nga Vetëvendosje, mungesën e zhvillimit ekonomik dhe prishjen e marrëdhënieve me aleatët” gjatë viteve të saj në pushtet.
Megjithatë, ai përfundoi se “pavarësisht të gjitha mangësive, qytetarët e kanë konsideruar opozitën më të dëmshme”.
Kosova
Përfundon numërimi i votave për subjektet politike, nis numërimi për kandidatët në 38 Qendra Komunale
Të dielën në mbrëmje, është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve për subjektet politike në 2,557 vendvotime ku është zhvilluar votimi i rregullt.
Sipas procedurave, të gjitha materialet zgjedhore janë tërhequr dhe vendosur në Qendrat Komunale të Numërimit në 38 komunat e vendit.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, numërimi i fletëvotimeve të subjekteve politike të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës bëhet në vendvotim, pasi të përfundojë procesi i votimit, ndërkaq, numërimi i votave të kandidatëve për deputetë bëhet në Qendra Komunale të Numërimit.
Përveç numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, në këto qendra, sipas Rregullores Zgjedhore të KQZ-së për Qendrat Komunale të Numërimit, do të bëhet edhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët që janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve.
Ky proces, i njëjtë do të bëhet në 38 Qendra Komunale të Numërimit, në të cilat do të punohet me dy orare. Numërimi i votave të kandidatëve dhe verifikimi i rezultateve, do të bëhet duke ofruar transparencë të plotë dhe nën monitorimin e vëzhguesve.
Përveç organizimit të votimit në 2,557 vendvotime të rregullta, ka mundësuar:
– votimin me kusht në 38 qendra votimi me 57 vendvotime;
– votimin jashtë vendvotimeve përmes ekipeve mobile votuesit me nevoja të veçanta dhe
– votimin jashtë Kosovës në përfaqësitë diplomatike dhe përmes postës.
Sipas të dhënave preliminare, nga 57 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, në përgjithësi janë evidentuar në sistem mbi 9,900 votues të regjistruar për të votuar me kusht.
Së shpejti do të kemi edhe të dhënat nga votimi i personave me nevoja të veçanta, i cili është realizuar jashtë vendvotimeve. Numri i votuesve të regjistruar në këtë program votimi ka qenë 2,860.
Nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi në 29 përfaqësi diplomatike, nga 19,187 shtetasit e regjistruar, kanë votuar 16,165 prej tyre apo 84.24%. Ndërkaq, nga votimi përmes postës, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar ka qenë rreth 58 mijë. Nga ky lloj votimi, ende nuk kemi të dhëna përfundimtare për numrin e pakove me fletëvotime pasi këto të dhëna do t’i kemi pas përfundimit të procesit të tërheqjes së tyre nga kutitë postare. Sipas të dhënave preliminare, vetëm nga tërheqjet e dy kutive postare, në Berlin dhe Bern, janë tërhequr 18 mijë pako të supozuara me fletëvotime.
-
Albania2 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK3 hours agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania4 hours agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
UK2 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports2 hours agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
Albania19 hours agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
Albania19 hours agoAnomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
-
Albania20 hours ago“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri
