Pritej një takim ku do të merreshin vendime që do të ndikonin mbarë botën, por nuk rezultoi kështu. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në një udhëtim jashtë vendit, të dytin që pas nisjes së luftës në Ukrainë, bisedoi ballë për ballë me homologun turk, Recep Tayyip Erdogan, në kryeqytetin e Iranit.
Zhbllokimi i eksporteve të grurit nga Ukraina ishte çështja kryesore, e cila nuk mori zgjidhje, por vetëm kushte të reja nga Moska.
“Rusia është e gatshme të bashkëpunojë në eksportin e grurit ukrainas, por dëshiron që të hiqen të gjitha kufizimet në eksportet e grurit rus”, tha Putin.
Megjithatë, një zhvillim lehtësues erdhi nga Teherani, veçanërisht për Europën, me Putin që garantoi se furnizimet me gaz do të vijojnë normalisht: “Gazprom ka përmbushur gjithmonë, është duke përmbushur dhe synon të përmbushë të gjitha detyrimet e tij. Dhe fakti që partnerët tanë janë fajtorë, ose duke u përpjekur të fajësojnë Rusinë për gabimet e tyre, është i pabazë”.
Një koment pati dhe për tentativat e Europës për të kaluar në energjinë alternative: “Nuk e di nëse ia vlen të futemi në detajet e politikave energjetike në vendet europiane, të cilat kanë lënë pas dore rëndësinë e llojeve tradicionale të energjisë dhe janë mbështetur në ato “jotradicionale”. Ata janë ekspertë të mëdhenj në fushën e “marrëdhënieve jotradicionale” LGBTQ+, kështu që vendosën të mbështeten në forma “jotradicionale” të energjisë. Energjia diellore dhe ajo heloike rezultuan një dimër tepër i gjatë, pasi nuk kishte erë”.
Sa i përket Sirisë, palët nënshkruan një deklaratë të përbashkët, duke respektuar qëndrimet e tyre, me qëllimin e vetëm që në atë shtet të rikthehet siguria.