15 deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike i kanë kërkuar kreut të Prokurorisë së Përgjithshme që të bëjë verifikimin e të dhënave të deklaruara në formularin e dekriminalizmit të kryebashkiakut të Divjakës, Fredi Kokoneshi, pasi, sipas PD, ai rezulton i përfshirë dhe i dënuar për trafik të qënieve njerëzore në Itali.
“Kryetari i Bashkisë Divjakë ka kryer trafik të qënieve njerëzore dhe veprimtari të paligjshme të lidhura me prostitucionin në Milano dhe për pasojë, ai ka qenë i arrestuar nga Policia Italiane dhe i dënuar me burg”, thuhet në kërkesën e firmosur nga 15 deputetë demokratë.
Sipas PD, denoncimi i parë për kryebashkiakun e Divjakës për të njëjtat akuza është bërë nga ish-sekretari i degës së PS në Divjakë dhe se që prej vitit 2012, në dijeni për këtë është edhe Drejtoria e Shërbimit Informativ të Lushnjes.