Ndërtohet kronologjia e asaj çfarë ndodhi 24 orët e fundit në jetën e Andrzej Izdebski, njëri prej tregtarëve më të njohur të armëve me origjinë polake.
Paraditen e të shtunës, 18 qershor 2022, 73-vjeçari polak nën shoqërinë e disa miqve, mes tyre një ish drejtor i kompanisë shtetërore të shitjes së armëve MEICO kanë shkuar për haycking në malin e Dajtit.
Më pas kanë drekuar dhe kanë ardhur në Tiranë. Ish drejtori MEICO e ka telefonuar në mbrëmje për ta pyetur nëse ishte kënaqur. Andrzej Izdebski i ka thënë se ndjente një dhimbje kraharori.
Dy ditë më pas pasditen e 20 qershorit, ai u gjet pa jetë në krevat në një apartament tek pallatet Agimi, si pasojë e një arresti kardiak.
Ai u largua nga Polonia në dhjetor 2020 për t’i shpëtuar një hetimi pasi dështoi të përmbushte kontratat me qeverinë polake në sigurimin e 1,241 respiratorë me vlerë 53 milion dollarë.
Një ish drejtor i MEICO një prej personave që e takoi Izdebskin për herë të fundit i tha Top Channel se Andrzej Izdebski, fillimisht kishte shkuar në Turqi, më pas në Serbi për të mbërritur në Shqipëri në fund të vitit 2021.
Për të plotësuar kushtet e marrjes të një leje qëndrimi të përhershme në vendin tonë Andrzej Izdebski regjistroi një kompani të re biznesi me emrin “‘Trade Invest & More’ sh.p.k.”. Riaktivizoi në QKR edhe kompaninë UNIMESKO, regjistruar në 2011 përmes të cilës kishte blerë armë nga kompania shtetërore shqiptare MEICO për ti çuar në Afrikë.
Liljana Zyla, bashkëshortja e një ushtaraku të rëndësishëm në vitet 2005- 2013 e kontaktuar nga Top Channel hodhi poshtë përfshirjen e saj në tregti armësh me polakun Izdebski.
“Të gjitha aludimet se unë apo bashkëshorti im jemi përfshirë në tregti apo trafik armësh me Andrzej Izdebski përmes kompanisë së tij UNIMESCO janë të pabaza dhe shpifje të cilat do ta marrin përgjigjen në gjykatë. Unë asnjëherë nuk kam qenë ortake e kompanisë UNIMESCO. E vetmja lidhje e imja me Andrzej Izdebski, është se kam qenë aksionere në kompaninë “Wind Sun Water Initiative”, për të zbatuar një projekt në fushën e energjisë së erës, miratuar për t’u zbatuar në Zarë të Sarandës në 2012 e rinovuar si leje paraprake në 2014”, tha zonja Zyla.
Tomasz Koztowski gazetar për gazetën më të madhe polake “Fakt” prej disa ditësh ndodhet në Tiranë për të investiguar, qëndrimin në Shqipëri të 73-vjeçarit Izdebski.
Në një intervistë për Top Channel ai tha: “Është një histori e mbushur plot mistere pasi Andrzej Izdebski ishte një njeri misterioz. Prej shumë vitesh ai e ushtronte aktivitetin e tij mes Polonisë dhe Shqipërisë. Ai ishte tregtar armësh dhe kishte krijuar lidhje të forta me ushtarakë të nivelit të lartë. Ai në Poloni solli respiratorë por ishin të pa certifikuar. Autoritetet polake kërkuan arrestimin e tij por ai ishte larguar nga Polonia. Në Shqipëri ai është ndjerë i sigurt pasi kishte miq. Lexuesit tanë janë shumë të interesuar për këtë ngjarje pasi përbën një skandal shumë të madh në Poloni”. /tch/