Pa humbur kohë, Kuvendi i Kosovës miratoi me 89 vota pro, marrëveshjen ndërkombëtare me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit. Mbështetjen e dhanë të gjitha grupet parlamentare, ndërsa partitë e opozitës vërshuan një sërë kritikash në drejtim të qeverisë.
Abelard Tahiri, shef i grupit parlamentar të PDK, tha: “Më vjen keq që nuk e kemi kryeministrin këtu, të shikonim se si ndihet ai përballë një projekti që është zhvilluar në kuadër të këtij 20-vjeçari, si ndihet ai përballë nënshkrimit të kësaj marrëveshje që ka filluar të negociohet në vitin 2014. Megjithatë, prapë po e them se ne e mbështesim dhe shpresojmë se ashtu siç është paraparë, deri në vitin 2027, ky projekt të implementohet. Më duhet të them se si GP i PDK do të ishte shumë më mirë të qëndronim në versionin e parë për sjelljen e gazsjellësit në Kosovë. Ju keni vendos që ky investim të bëhet në bateri dhe ruajtje të energjisë, ose siç thoshte Kurti “nuk kemi frigorifer për të ruajtur energjinë elektrike”. Tani frigoriferët po i sjell, po prapë mendojmë se më mirë ka qenë të qëndrojmë në projektin e gazsjellësit”.
Avdullah Hoti, deputet i LDK, shprehet: “Qeveria Kurti ka më së paku merita për këtë marrëveshje. Në fakt, është qeveria Kurti që së paku e ka vonuar dy vjet realizimin e kësaj marrëveshje. Kjo ka filluar qysh në qeverinë Mustafa dhe presidentja Jahjaga ka merita të veçanta për inicimin e kësaj marrëveshje. Në qeverinë Mustafa kemi punuar gjatë në plotësimin e një liste të gjatë të kushteve për t’u kualifikuar në këtë lloj marrëdhënie kontraktuale me ShBA-të”.
Pal Lekaj, deputet i AAK, theksoi: “Qeveria mirë do të ishte të kishte pranuar menjëherë këtë marrëveshje dhe jo pas presioneve të vazhdueshme që i kemi bërë. Por më mirë vonë se kurrë. Ajo çka mund të ndërlidhi, ju e keni reduktuar mjaft këtë marrëveshje, e keni shndërruar në bateri, por nëse e krahasojmë me gazin amerikan, kjo është e mirë për vendin, por është reduktuar në maksimum. Ju keni menduar të shndërroni partneritetin me ShBA në një subjekt politik, apo më mirë të them atëherë vetëm kur t’iu konvenon juve dhe jo interesit të qytetarëve të Kosovës… Është për të ardhur keq se sa herë kemi pasur marrëveshjet, VV-ja ka bërë shaka e sidomos kryeministri duke e quajtur “Amelika”, “Amelika”. Është për të ardhur keq”.