Ish-Presidenti Ilir Meta hodhi edhe një herë poshtë pretendimet e Autoritetit të Dosjeve se ai ka qenë pjesë e Sigurimit të Shtetit.
“Është një përgjegjësi e madhe e Autoritetit të konfirmuar si pjesë e falsifikimit. Autoriteti i Dosjeve jo vetëm duhet të zbatojë ligjin por duhet të kujdeset që të mos rilëndohen viktimat.
Autoriteti Dosjeve e di shumë mirë që Ilir Rexhep Metaj nuk ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit. Ato e dinë shumë mirë se kush ka qenë bashkëpunëtori në rastin konkret, sepse ndodhet në dy dosje.
Ata që e kanë orkestruar këtë skenar, e dinë shumë mirë që Ilir Meta nuk ka ikur ndonjëherë në konvikt”, tha Meta në një prononcim për mediat.
Meta tha se Autoriteti i Dosjeve do të mbajë përgjegjësi ligjore për këtë shkelje ligjore që, sipas tij, ka bërë.
“Do të mbajnë përgjegjësi individuale personat e përfshirë. Autoriteti i Dosjeve e kishte shumë të lehtë nëse kishte ndonjë shqetësim, kur u zgjodha president firmos një kërkesë dhe deklaratë. Nëse do të dilte ndonjë e dhënë, mund ta padiste penalisht Ilir Metën”.