Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi përmes një statusi në rrjetet sociale në lidhje me situatën e krijuar në ditët e fundit në veri të Kosovës, pasi qeveria e këtij vendi vendosi të zbatojë reciprocitetin përsa u përket targave të makinave dhe dokumenteve serbe.
Pasi dënoi tensionet e nxitura sipas tij nga Beogradi me mbështetjen e Kremlinit, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se heshti ndaj këtyre zhvillimeve shqetësuese në Kosovë, duke treguar edhe njëherë shenja vasaliteti.
“Ndaj këtyre kërcënimeve luftënxitëse të serbomadhit Vuçiç, në një akt të turpshëm vasaliteti të plotë ndaj padronit, heshti për 24 ore si fija e barit, Edi Rama.
Kurse pas 24 orëve, ai doli hapur në mbrojtje të Putinit të Madh dhe Putinit të Vogël duke e paraqitur çështjen jo të nxitur nga Moska dhe Beogradi, por refuzim të marrëveshjes nga serbet lokal për arsye të tyre.
Kështu, Rama sot në konference shtypi deklaroi: ‘’Unë i bëj thirrje autoriteteve në Beograd, Presidentit të Serbisë që të mos ushqejnë më asnjë lloj justifikimi apo alibie për grupe të caktuara në Veriun e Kosovës që për arsyet e tyre i kundërvihen zbatimit të një marrëveshje që jo vetëm duhet zbatuar por është e vlefshme për t’u zbatuar për t’i dhënë më shumë besueshmëri dialogut”.
Me një deklaratë të tillë Edi Rama, duke vlerësuar se gjendja nuk erdhi pas deklaratave të Kremlinit për destabilizimin e Ballkanit dhe ultimatumeve të padronit të tij Vuçiç për përgjigje vdeksore ndaj Kosovës dhe kërcënimit për konflikt ndaj Perëndimit në rast se qeveria e Kosovës do të zbatonte marrëveshjen për reciprocitet, ai i del haptas në mbrojtje politikës luftënxitëse të Putinit dhe Vuçiçit.
Me këtë deklaratë ky tradhtar inkurajon konfliktin në Kosovë dhe, njëlloj siç justifikon refuzimin nga padroni i tij Vuçiç për zbatimin e sanksioneve të BE ndaj Rusisë, ai i thotë komunitetit ndërkombëtar se nuk është Putini dhe Vuçiçi që nxisin konfliktin, por janë disa fshatarë të pagdhendur serbë që nuk duan Albin Kurtin dhe nuk zbatojnë vendimet e qeverisë së tij”, shkruan mes të tjerash Sali Berisha.