7-vjeçarja që u përplas nga skafi jetonte me familjen në Angli, ishin në Shqipëri për pushime! Tragjedia në Potam, rasti i tretë në dy javë

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Pavarësisht se ministri i Brendshëm Bledi Çuçi e cilësoi sigurinë në plazhe një sfidë personale duke u thënë drejtorëve të policisë se do të kishin punë me të, në bregdetin shqiptar një fëmijë humbi jetën pasi u përplas me një skaf.

Në mes të ditës, në një orë kur plazhi frekuentohet nga një numër i madh qytetarësh, një vajzë vetëm 7 vjeçe u godit nga një skaf që lundronte shumë pranë bregut të detit.

Arjan Tase, një punonjës policie në Elbasan pa respektuar distancën nga bregu, teksa lundronte me mjetin tip skaf, sipas policisë ka humbur kontrollin e tij e për pasojë ka goditur të miturën e cila nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra.

Vajza e mitur dhe familjarët e saj nga Tropoja jetonin në Angli ndërsa kishin ardhur në Shqipëri për pushime.

Menjëherë pas ngjarjes uniformat blu të Himarës arrestuan kolegun e tyre i cili u pezullua nga detyra dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ngritur një grup të posaçëm hetimi.

Përjashtimi i Tases nga radhët e policisë u lajmërua nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Gledis Nano, i cili në reagimin e tij shprehu keqardhje për ngjarjen duke thënë se është një përgjegjësi e dyfishtë, si institucionale dhe njerëzore.

Kjo është ngjarja e tretë brenda pak ditëve ku motorët e ujit përplasin pushues në plazhet e vendit. Vetëm pak ditë më parë u godit nga një mjet lundrues një tjetër fëmijë në plazhin e Jonufrës në Vlorës ndërsa në bregdetin e Jalës u përplas nga një gomone një çift, të cilët mbetën të lënduar.

Share This Article