Përvjetori i 34-të i vdekjes së poetit Havzi Nela ishte një moment për liderin e Partisë Demokratike Sali Berisha për të sulmuar kryeministrin Edi Rama, i cilësuar si pasardhësi i “xhelatit që ka firmosur dënimin e poetit”.
Një e kaluar nga e cila sipas Berishës Rama nuk eshte distancuar. “Më vonë do të deklaronte se, babai im ka qenë komunist dhe ata kanë qëndruar në anën e drejtë të historisë. Tani, cila ishte ana e drejtë e historisë, përpjekja për të shndërruar Shqipërinë në republikë të 7-të të ish-Jugosllavisë?”, ishin fjalët e Berishës në një takim në kryeqytet, që cilësoi sërish Ballkanin e Hapur si mjeti me të cilin synohet të arrihet ai objektiv.
“Ndaj apeli dhe kushtrimi më i madh që mund ti bëjmë ne të gjithë atyre poetëve që qëndruan kundër diktaturës është të bashkohemi për të shpëtuar vendin nga ky regjim që sot ka rikthyer monizmin, duke marrë të gjitha pushtetet në dorë, pasi shkelmoi votën”, ishin fjalët e Berishës.
Ish-kryeministri sulmoi edhe atë që cilëson si sponsorin e madh të Ramës dhe të majtës në rajon. “Ky regjim sot ka mbështetje, ka mbështetjen e George Soros, njëri nga multimiliardierët që paratë që i fiton me spekulime, i përdor për agjendën e ekstremit të majtë. E rëndësishme është që ne të bashkohemi sepse ne kemi një kauzë të drejtë”, deklaroi Berisha.