Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e 21 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, theksoi se përfitimet kryesore të marrëveshjes ishin ruajtja e sovranitetit dhe integritetit territorial, si dhe karakteri unitar i shtetit, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Para 21 vitesh, në Ohër, kryetarët e katër partive më të mëdha të atëhershme politike së bashku me presidentin Boris Trajkovski dhe përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së nënshkruan Marrëveshjen Kornizë e cila parandaloi përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit dhe solli paqen dhe stabilitetin si parakusht për zhvillimin e mëtejmë demokratik të shoqërisë maqedonase.
Përfitimet kryesore të marrëveshjes ishin ruajtja e sovranitetit dhe integritetit territorial, si dhe karakteri unitar i shtetit. Ajo gjithashtu hodhi themelet për ndryshime kushtetuese dhe legjislative që garantojnë të drejtat e komuniteteve në numër më të vogël.
Në 21 vitet e fundit, ndër të tjera, përmes zbatimit të Marrëveshjes Kornizë, ne u bëmë anëtare e NATO-s, morëm statusin e kandidatit dhe hapëm negociatat me Bashkimin Evropian. Në këtë proces, ndërtuam një model të demokracisë funksionale multietnike që ruajti paqen dhe stabilitetin dhe vendosi standardet më të larta për të drejtat e komuniteteve.
Sot, kur jemi dëshmitarë të një lufte në tokën evropiane dhe kur jetojmë nën presionin e kërcënimeve të vjetra dhe të reja të sigurisë, duhet të mbajmë gjithmonë para syve një nga parimet bazë të Marrëveshjes Kornizë, e cila refuzon tërësisht dhe pakushte përdorimin e dhunës për arritjen e qëllimeve politike, sepse vetëm zgjidhjet politike dhe dialogu mund të garantojnë një të ardhme të qëndrueshme dhe demokratike”, tha Pendarovski.
Le t’i drejtojmë, shton Presidenti, të gjitha përpjekjet tona në të ardhmen drejt një zhvillimi ekonomik shumë më të fortë, arsimit dhe shëndetësisë cilësore dhe një mjedisi të shëndetshëm jetese në të cilin do të ketë të gjitha supozimet që secili nga qytetarët tanë të realizojë ambiciet dhe potencialet e tyre.