Zbardhen detaje të reja për tre të huajt që u përfshinë në incidentin e të shtunës në mbrëmje në uzinën e armëve në Gramsh, ndaj të cilave mes të tjerave policia e Elbasanit mes të tjerave ka ngritur edhe akuzën për spiunazh.
Gjatë fazës hetimore ka rezultuar se në telefonat e tyre janë gjetur fotografi dhe materiale të tjera të bazave të tjera ushtarake në Shqipëri përveç asaj të Gramshit. Këto materiale i përkasin periudhës së gushtit të këtij viti, teksa për prokurorinë përforcojnë dyshimet se këta tre shtetas të jenë pjesë e një rrjeti spiunazhi që dëmtojnë interesat e vendit.
Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur për ABC, se janë zbërthyer aparatet celulare të tre shtetasve të huaj, ku kanë gjetur shkëmbime informacioni dhe komunikime të dyshimta me persona të tjerë përmes aplikacioneve të ndryshme, por kryesisht “Telegramit”.
Ndërsa sa u përket katër shtetasve çekë, të kapur në rrethana të ngjashme në Poliçan, të njëjtat burime shprehen se në këtë fazë hetimi nuk është konstatuar asnjë lidhje me njëra-tjetrën.
Akuza e Elbasanit qëndron në krye të hetimeve, ndërsa çështja do të vijojë të hetohet në Prokurorinë e Elbasanit dhe jo në strukturën e posaçme. Sa i përket kontakteve që kanë kryer këta shtetas me persona të tjerë, po bëhen verifikime për identifikimin e tyre dhe aktivitetit me të cilin merren.