Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë nga selia, foli sërish për atë që e quajti “problemin aktualisht shumë madhor për vendin, Portin e Durrësit”.
“Të dhëna të reja dëshmojnë se janë përfshirë tentakulat e mafias Rama-Alabar, përfshi vëllezërit Kariç dhe më të dashurit e Lukashenkos. Pra, siç e shihni, kemi të bëjmë me një dorëzim të portit më të rëndësishëm të Shqipërisë mafies më të rrezikshme, Edi Ramës, vëllezërve Kariç dhe Vuçiçit pas tyre. Vëllezërit Kariç janë aksionerët kryesorë të dy kompanive të Alabarit në Beograd. Përsëri kjo kompani arabe ka tentakulat e saj në Minsk, ku kompania e Minskut ka për president, ndihmësin kryesor të Lukashenkos”, tha Berisha.
“Në këtë kontekst, jo vetëm që Edi Rama po ndërton Dubain e tij, të familjes së tij, por po e ndërton atë me grupe të rrezikshme antishqiptare dhe antieuropiane, siç janë biznesmenët të Bjellorusisë dhe ata të Beogradit. E vërteta është se në këtë aferë multimiliardëshe kemi të bëjmë me një bashkëpunim të gangsterëve politikë të rajonit, me ata të Vladimir Putinit në Bjellorusi. PD denoncon me forcën më të madhe këtë projekt të Edi Ramës dhe Alabarit. U bën thirrje qytetarëve të Durrësit të mos shpenzojnë asnjë qindarkë për të blerë apartamente nga kompania fantazmë Rama-Alabar dhe garanton se nuk do të njohë asnjë vendim, por do bëjë përgjegjës penal Edi Ramën për dëmin e tmerrshëm që i ka krijuar vendit me mbylljen “de facto” të portit kryesor”, shtoi kreu demokrat.