Qeveria gjermane ka gati paketën e tretë të ndihmës për përballimin e krizës energjetike. 65 miliardë euro janë vënë në dispozicion të situatës, për të cilën kancelari gjerman Olaf Sholz tha se një pjesë do të financohet nga superfitimet e ndërmarrjeve energjetike.
“Ne do t’ia dalim mbanë këtë dimër. Kjo paketë do të jetë një ndihmë e madhe për qytetarët. Vendi ynë ndodhet në një kohë të vështirë, por ne do ta kalojmë këtë periudhë të vështirë së bashku. Qeveria gjermane i merr “shumë seriozisht” shqetësimet e qytetarëve por edhe të sipërmarrjeve për shkak të rritjes masive të çmimeve. Ne nuk do ta lemë askënd vetëm”, deklaroi kancelari.
Për të lehtësuar qytetarët që duhet të paguajnë çmime të larta të energjisë elektrike do të vendoset kufiri maksimal. Ekonomive shtëpiake do t’u përllogaritet një masë e madhe energjie më një çmim të leverdishëm.
Po ashtu, masa konkrete lehtësimi do të jenë zgjerimi i numrit të personave që marrin ndihma sociale për banimin – nga 640.000 vetë aktualisht në rreth 2 milionë . Pensionistët nga 1 dhjetori 2022 do të marrin një kontribut energjie prej 300 eurosh.
Për studentët do të jepet një shumë njëherë prej 200 eurosh. Kurse ndihma sociale (Hartz IV) nga 1 janari 2023 do të riemërtohet në fond qytetar duke e çuar atë në 500 euro, ndërkohë që kontributi mujor për fëmijën do të rritet me 18 euro në 1 janar 2023. Koalicioni bëri të ditur, se programet e ndihmës për sipërmarrjet do të zgjaten deri më 31 dhjetor 2022.