Janë publikuar pamje në rrjetet sociale, sipas të cilave, një avion i NATO-s shoqëron një avion misterioz pa pilot. Ai fluturoi për rreth 2 orë përpara se të rrëzohej të dielën në Detin Baltik.
Avioni pa pilot ishte nisur nga jugu i Spanjës dhe duhet të ndalonte në Këln të Gjermanisë. Por, sipas raportimeve të Autoritetit Ajror Gjerman, avioni nuk u ul kurrë atje, por vazhdoi fluturimin e paprogramuar. Sipas raportimeve, në të ndodheshin piloti, një çift bashkëshortësh dhe vajza e tyre.
Misteri bëhet edhe më i madh për faktin se kur avionët luftarakë të NATO-s iu afruan aeroplanit, pilotët nuk panë asnjë person në kabinë. “Avioni po udhëtonte nga Spanja në Këln, por gjatë fluturimit ndryshoi trajektore”, tha Autoriteti Civil Letonez në një deklaratë për mediat. “Kontrollorët ajrorë e patën të pamundur që të komunikonin me ekuipazhin”.
Avioni Cessna 551 ishte i regjistruar në Austri, por pronari ishte në Spanjë. Sipas “Bild”, avioni kishte raportuar fillimisht probleme me presionin në kabinë pas nisjes së fluturimit, por më pas ishin ndërprerë kontaktet, duke u shpallur i humbur pas daljes nga Gadishulli Iberik.
Sipas udhëheqësit të skuadrës suedeze të kërkim shpëtimit, Lars Antonsson, avioni u rrëzua pasi i përfundoi karburanti. Flightradar24, një website që gjurmon fluturimet e të gjithë avionëve në të gjithë botën, publikoi një video satelitore ku tregohet momenti që aeroplani bie në det, pasi kryen një spirale. Antonsson tha për AFP se deri tani nuk janë gjetur trupa njerëzish dhe sipas tij, mundësia që të ketë të mbijetuar është minimale.