Mbrëmja e së martës rikthen emocionet e Champions League, ku vëmendja më e madhe shkon tek supersfida Bayern-Barcelona.
Dy gjiganët e futbollit europian do të zbresin në “Allianz Arena” me objektivin e vetëm për të fituar. Statistikat e Bayern në 3 ndeshjet e fundit në Bundesligë nuk janë aq pozitive, pasi gjermanët vijnë nga 3 barazime rresht, ndërsa nuk mund të thuhet kjo për katalanasit që kanë 3 fitore radhazi me 4 gola.
Sa i përket organikës së dy skuadrave, lajmi i mirë për teknikun Xavi është se nuk do të ketë asnjë mungesë, ndërsa Nagelsmann vuan dëmtimin e Coman.
Dueli luhet sot, në orën 21:00.
Ndërkohë, grupin e kompleton dueli Victoria Plzen- Inter. Zikaltërit e kanë detyrim fitoren. Nëse duan të besojnë tek kualifikimi më tej, duhet të mposhtin fillimisht çekët, kundërshtarin më të lehtë në letër. Lukaku mbetet mungesa e vetme për italianët, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës është gati për sfidën.
Edhe grupi A rezervon ndeshje të forta, ku veçohet Liverpool-Ajax. The Reds, pas turpërimit 4-1 nga Napoli në ndeshjen e parë, duhet të reagojnë sa më parë, ndonëse përballë holandezëve nuk do të kenë një detyrë të lehtë. Sezonin e kaluar, Ajax e mbylli fazën e grupeve me 12 pikë të plota, duke mposhtur çdo kundërshtar. Edhe këtë herë, anglezët vijnë me një infermieri të mbushur pasi Henderson, Ramsay, Keita, Chamberlein dhe Robertson nuk janë rikuperuar dot.
Ndërsa Ajax do të hedhë në fushë formacionin më të mirë. Grupin e kompleton Rangers-Napoli, ndeshje e cila është shtyrë 24 orë. Kjo për shkak të vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth dhe zisë kombëtare që po mbahet në Skoci. Gjithashtu, UEFA njoftoi që tifozët napoletan nuk do të lejohen në stadium, kjo për të shmangur konfliktet e mundshme.
Dhe për të qenë sa më të drejtë, as tifozët e Rangers nuk do të udhëtojnë në Napoli në duelin e kthimit në 23 tetor. Sa i përket dueleve të tjera, Atletico Madrid, pas fitores në limite ndaj Portos, do të sfidojë Leverkusen.
Spanjollët do të luajnë njësoj si në ndeshjen e parë, në dyshim është vetëm Oblak pas dëmtimit në duelin e fundit. Grupin B e kompleton sfida Porto-Club Brugge. Në grupin D, Sporting përballet me Tottenham, dy skuadrat që siguruan fitoren në duelet e para, ndërsa Marseille sfidon Eintracht Frankfurt.