Nga takimi me Camilla-n te lidhja me motrën e Lady Dianës, jeta private e mbretit Charles ka marrë vëmendjen e medieve britanike prej dekadash. Djali i madh i mbretëreshës së ndjerë nuk ka shijuar kurrë të njëjtën dashuri nga publiku si nëna e tij apo edhe ish-bashkëshortja e tij, Lady D. Në të njëjtën kohë, ai ka pasur një listë të gjatë marrdhëniesh që para se të martohej me princeshën e ndjerë Lady Diana.
Le t’i hedhim një vështrim të shkurtër vargut të romancave të mbretit aktual të cilat i dhanë atij pseudonimin ‘Engjëjt e Çarlit’ apo Charles’ Angels nga shtypi britanik.
Ekspertët mbretërorë kanë deklaruar se princi i Uellsit kishte më shumë se 20 marrëdhënie midis vitit 1967-s dhe 1980-s, viti kur ai u takua me Diana Spencer, princeshën e ardhshme të Uellsit. Por, Diana nuk ishte e vetmja nga familja Spencer që kishte një marrëdhënie romantike me mbretin e ardhshëm.
Përpara afatit të tij të vetë-imponuar për t’u martuar deri në moshën 30-vjeçare, Charles thuhet se u takua me motrën e saj më të madhe Sarah tre vjet më përpara dhe kishte lidhje me disa figura të tjera të shoqërisë dhe vajzave aristokrate.
‘Dashuria e parë e jetës’
Dashuria e tij e parë mbetet e panjohur edhe sot e kësaj dite, por sipas një raportimi të Express, ajo ishte Lucia Santa Cruz, vajza e ambasadorit të atëhershëm të Kilit. Ata u takuan ndërsa Charles ishte duke studiuar në “Trinity College”.
Lucia fliste katër gjuhë dhe kishte diploma nga universitete prestigjioze si Oxford. Takimi i tyre i parë ndodhi në një darkë në vitin 1969 dhe me sa duket ishte dashuri me shikim të parë.
“Ajo ishte dashuria e parë e vërtetë e jetës së tij,” tha Lady Elizabeth Anson, kushërira e Charles dhe shoqja e Luicias. Edhe pse nuk ka shumë foto të tyre, njëra është bërë në një makinë në vitin 1971.
Charles dhe Camilla
Princi Charles dhe Camilla u takuan për herë të parë në një ndeshje polo në vitin 1970, por shumë shpejt ata i dhanë fund njohjes. Camilla u martua me Andreë Parker Bowles në 1973-shin, ndërsa Charles u martua me princeshën Diana në vitin 1981.
Një telefonatë intime mes Çarls dhe Camilla u zbulua në vitin 1993, duke shkaktuar një skandal të madh mediatik. Të dy u divorcuan nga partnerët e tyre në vitet në vijim. Charles dhe Camilla e bënë publike lidhjen e tyre një vit pas vdekjes së Dianës në 1997-n dhe u martuan në vitin 2005.
Sarah Spenser – Motra e madhe e Dianës
Motra e madhe e princeshës Diana dhe vajza e 8-të e Earl Spencer, Sarah dhe Charles u takuan për herë të parë në vitin 1977, por u ndanë pasi ajo i tregoi një gazetari se nuk ishte e interesuar të martohej me trashëgimtarin e fronit.
Në vitin 1978, ajo thuhet se i tha revistës Time se: “Nuk kam ndërmend të martohem me të. Unë nuk jam e çmendur për të. Dhe nuk do të martohesha kurrë me dikë që nuk e dua, qoftë ai një i varfër apo mbreti i Anglisë.”
Ndërsa shumë njerëzve mund t’u duket e çuditshme që motra e saj e vogël po shihte ish-të dashurin e saj, Sarah thuhet se ndihej krenare për faktin që ajo i kishte takuar ata me njëri tjetrin. “Unë i prezantova,” tha ajo një herë. “Unë jam Kupidi.”
Rrugëtimi i thepisur me Dianën
Diana dhe Charles u takuan për herë të parë në vitin 1977 përmes motrës më të madhe të Dianës, Sarës. Charles ishte 28 vjeç, dhe Diana ishte vetëm 16 vjeç. Në shkurt të vitit 1981, çifti njoftoi fejesën e tyre dhe gjatë një interviste televizive, një gazetar prapa kamerës e pyeti çiftin: “A jeni të dashuruar?” Ndërsa Diana u përgjigj: “Sigurisht”, Charles shtoi, “Çfarëdo që të jesh “i dashuruar” do të thotë.”
5 muaj më vonë, ata u martuan në një ceremoni luksoze në Katedralen e Shën Palit. Një biografi e vitit 2017 nga Sally Bedell Smith përshkruan Charles duke qarë natën e tij të dasmës, ndërsa Dianën si “jashtëzakonisht të trazuar” teksa luftonte me buliminë.
Divorci dhe rimartesa e tij
Imazhi i mbretit të ri mori një goditje të fortë gjatë ndarjes së tij konfliktuale nga Diana. Në intervistën e saj të vitit 1995, në të cilën ajo zbuloi detajet për lidhjen e tij me Camilla Parker Bowles, Diana tha publikisht frazën e famshme se “kishte tri persona” në martesën e saj.
Duke dhënë versionin e saj të ngjarjeve – dhe duke pranuar pabesinë e saj – Diana shpalosi betejat e saj brenda familjes më të famshme të Britanisë, duke kritikuar familjen mbretërore dhe duke vënë në dyshim aftësinë e Charles për të qenë mbret.
Ajo u antagonizua tmerrësisht nga establimenti britanik, por fitoi simpatinë e publikut të gjerë, gjë që u përforcua edhe më tej pas vdekjes së saj në një aksident automobilistik në Paris në vitin 1997.
Charles u përbuz për një kohë të gjatë si për lidhjen jashtëmartesore, e cila u fajësua si shkaku i ndarjes, por edhe pjesërisht për reagimin e dobët fillestar të familjes mbretërore për vdekjen e Dianës, kur ata u kritikuan gjerësisht se u shfaqën të pashpirt dhe të ftohtë për ngjarjen e rëndë.
Megjithatë, ai gradualisht ka rifituar njëfarë mbështetjeje publike teksa pranoi se kishte rigjetur lumturinë me Camilla-n me të cilën u martua në vitin 2005 dhe vazhdon ende sot e kësaj dite.