Rastet e dhunimeve seksuale në Kosovë, javëve të fundit janë shtuar dukshëm. Vetëm gjatë javës së kaluar mbi tri raste të tilla janë raportuar në Policinë e Kosovës.
E një rast tjetër ka ndodhur ditë më parë në Ferizaj, ku viktimë e dhunimit ishte një vajzë 18 vjeçare.
Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka konfirmuar për Telegrafin se i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe ndaj të njëjtit do të paraqitet kërkesa për paraburgim.
“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se me vendim të Prokurorit të Shtetit, lidhur me rastin në fjalë, me datën 18 Shtator 2022, është ndaluar një (1) person, në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit të veprës penale “Dhunimi” nga neni 227 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Ndërsa, brenda afatit ligjor, Prokuroria Themelore në Ferizaj, do të paraqesë edhe kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për shkak të dyshimit të veprës penale të lartëcekur”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Për rastin në fjalë ka njoftuar edhe Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh. Policia bënë të ditur se i dyshuari veprën e penale e kishte kryer dy ditë më parë.
“Më 18.09.2022 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti më 17.09.2022 e ka dhunuar viktimën femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, ka njoftuar policia.
Kujtojmë se opinioni ishte tronditur pas rastit të dhunimit të 11 vjeçares në Prishtinë e cila ndodhi muajin e kaluar, ku e njëjta dyshohet se kishte qenë pre e dhunimit dy herë brenda këtij viti e ku deri më tani 12 persona janë arrestuar për rastin e saj dhe të cilët aktualisht gjenden në paraburgim.