Me titullin “Pse Bashkimit Evropian i duhen sanksione kundër korrupsionit”, Fondacioni i sugjeron BE se pas skandaleve të Pandora dhe Panama Paper, duhej një moment i përbashkët politik dhe global kundër korrupsionit dhe se miratimi i sanksioneve të përbashkëta do të përmbushte objektivat.
Nga viti 2023 sjellja e Bashkimit Evropian me zyrtarët e përfshirë në çështje të lidhura me korrupsionin me gjasë do të ndryshojë. Premtimi i Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen më 14 shtator se BE është e zotuar për të marrë masa të reja për të luftuar korrupsionin u përshëndet sot në Kuvend edhe nga maxhoranca socialiste që e lidhi direkt vendosjen e sanksioneve me një qendrim të BE ndaj Berishës. Por kjo nuk është domosdoshmërisht kështu. Dosja sjell një material interesant që tregon sesi Fondacioni për Shoqërinë e Hapur (Open Society Foundation), i themeluar nga filantropi Xhorxh Soros i propozoi Bashkimit Evropian një “policy brief” (përmbledhje politikash) në lidhje me korrupsionin dhe pse BE duhet të reagonte.
Me titullin “Pse Bashkimit Evropian i duhen sanksione kundër korrupsionit”, Fondacioni i sugjeron BE se pas skandaleve të Pandora dhe Panama Paper, duhej një moment i përbashkët politik dhe global kundër korrupsionit dhe se miratimi i sanksioneve të përbashkëta do të përmbushte objektivat.
Në dhjetor të vitit 2020, BE-ja miratoi Regjimin Global të Sanksioneve të të Drejtave të Njeriut të BE-së, por ndryshe nga aleatët e tij, nuk arriti të përfshijë korrupsionin si një aktivitet të sanksionueshëm. Zbulimet e fundit nga Pandora dhe Panama Papers hodhën në qendër të vëmendjes llogaritë sekrete në det të hapur në juridiksionet perëndimore dhe tregojnë nevojën urgjente për të vepruar kundër flukseve kleptokratike dhe të paligjshme të parave. Ky momentum politik global në luftën kundër korrupsionit – së bashku me një kuptim në rritje se korrupsioni është një kërcënim për stabilitetin dhe sigurinë e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut – është një mundësi thelbësore për BE-në dhe shtetet e saj anëtare që të miratojnë ligjërisht sanksione të shëndosha kundër korrupsionit. Për më tepër, miratimi i një regjimi të fuqishëm të sanksioneve kundër korrupsionit do t’i mundësonte BE-së të koordinohej me aleatët me të njëjtin mendim si Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Australia, për të përmbushur objektivat e saj të politikës së jashtme.”-thuhet në parahyrjen e propozimit.
Ndërsa në materialin e përgatitur nga Fondacioni, në 14 faqe propozohen ndryshimet dhe fushat që do të preknin sanksionet e reja. Duke mos i qendruar rasteve konkrete, “Shoqëria e Hapur” flet për një forcim të të drejtave të njeriut dhe sinkronizim të sanksioneve me forcimin e tyre. Jo rastësisht, tek kjo pikë u ndal edhe Von Der Leyen në fjalën e saj.
Dosja sjell shembullin sesi është propozimi i “Open Society” për ta krahasuar me çfarë është zotuar BE më 14 shtator, duke ilustruar ndikimin jo të vogël që kanë fondacionet në politikat globale dhe ato financiare nëpër botë.
Propozimi i Fondacionit të Hapur:
Forcimi i të drejtave të njeriut përmes regjimit të sanksioneve. Ka pasur një njohje për atë që korrupsioni lidhet me shkeljen e të drejtave të njeriut siç edhe rezoluta e Këshillit të OKB pranoi. Dështimi për të zbatuar rregullat dobëson mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Korrupsioni dëmton funksionimin dhe legjitimitetin e institucioneve dhe dobëson strukturat e llogaridhënies përgjegjëse për mbrojtjen të drejtat e njeriut. Korrupsioni e komplikon gjendjen të atyre që janë në situata të cenueshme, për të patur akses në shërbime publike dhe për të marrë drejtësi. Sinkronizimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut me sanksionet kundër korrupsionit kanë potencial për të krijuar një sinergji me efekt reciprok të dobishëm.
Por çfarë tha Von Der Leyen? Presidentja e KE deklaroi më 14 shtator:
Dhe sot do të doja të fokusohesha te korrupsioni, te të gjitha fytyrat e tij. Te fytyra e agjentëve të huaj që përpiqen të ndikojnë në sistemin tonë politik. Te fytyra e kompanive apo fondacioneve të dyshimta që abuzojnë me paranë publike.Nëse duam të jemi të besueshëm kur kërkojmë nga vendet kandidate të forcojnë demokracitë e tyre, ne duhet gjithashtu të çrrënjosim korrupsionin në vend. Kjo është arsyeja pse vitin e ardhshëm Komisioni do të paraqesë masa për të përditësuar kuadrin tonë legjislativ për luftimin e korrupsionit. Ne do të rrisim standardet për vepra të tilla si pasurimi i paligjshëm, trafikimi me ndikim dhe shpërdorimi i pushtetit, përtej shkeljeve klasike si ryshfeti. Dhe ne do të propozojmë gjithashtu përfshirjen e korrupsionit në regjimin tonë të sanksioneve për të drejtat e njeriut, si mjetin tonë të ri për të mbrojtur vlerat tona jashtë vendit.”-tha ajo.
Në materialin prej 14 faqe nuk ka një model për sanksionet dhe vendosjen e tyre dhe prezantimi i tyre pritet të bëhet përgjatë vitit 2023.