Në bashkëbisedimin me qytetarët, kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Sali Berisha ka ftuar të gjithë deputetët e grupit parlamentar të PD-së që të bashkohen me PD-në.
“Besoj se jeni dakord që PD-ja, gjatë këtij viti, me gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të qeverisë dhe jo vetëm të qeverisë, dhe të mafisë së George Soros për ta penguar dhe ndaluar trenin e saj, ai eci fuqishëm dhe të garantojë se sot PD-ja realisht, siç faktoi më datë 7 korrik, është më e fuqishme se ndonjëherë më parë. Deputetët e grupit parlamentar të PD, janë të ftuar të bashkohen me PD-në dhe të heqin dorë nga lojërat e turpshme që bëhen si vegla të Edi Ramës ku i vendosi Lulzim Basha”, ka thënë Berisha.
Berisha ka shtuar se i fton deputetët e grupit parlamentar të PD-së me zemër të hapur, por thotë se nuk ka asnjë tolerancë në rast bashkëpunimi të tyre me kryeministrin Edi Rama.
“Unë i ftoj me zemër të hapur, por u them prapë sot këtu, para jush, se e gjithë Shqipëria i shikon, kur ata pa asnjë mandat partie, bëhen shtojcë e grupit parlamentar të Edi Ramës. Ata sot, nëse deri dje, mund të mos ishin të bindur se Basha ishte peng i Ramës, sot nuk ka shqiptar që nuk e kupton se Basha ishte marrë peng me dosjen ruse nga Rama, dhe jo vetëm kaq. Mirëpres secilin prej tyre t’i bashkohet grupit, por nuk do ketë asnjë tolerancë në bashkëpunimin e tyre me Edi Ramën”, ka shtuar ai./tvklan.al