Të gjithë e njohin si një prej DJ-ve më të famshëm në Shqipëri, por së fundmi, Ardian Kola, i njohur në art si DJ Cherry, ka rënë në prangat e Policisë së Shtetit pasi akuzohet për trafikimin e disa emigrantëve të jashtëligjshëm në vend.
Sipas një njoftimi nga Policia e Shtetit, Kola, më 19 qershor 2022, në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar automjetin, por ka vazhduar lëvizjen me shpejtësi dhe më pas ka braktisur automjetin me të cilin dyshohet se po transportonte pesë emigrantë të paligjshëm.
I njohur dikur si DJ i emisionit të njohur, Zonë e Lirë, sot “Cherry” akuzohet për veprat penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
Materialet i kanë kaluar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. /Albanianpost.com