Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka raportuar sot në Komisionin për Ekonomi lidhur me krizën energjetike dhe masat që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës.
Ministrja kërkoj që të vazhdojnë edhe më tej masat emergjente që janë marrë dy muaj më parë lidhur me krizën e energjisë elektrike.
“Duke qenë se jemi në një kohë kur moti po fillon të ftohet, dhe muajt e kaluar kemi pasur disa njësi jashtë operimit për shkak të ndërhyrjeve që duhen bërë për përgatitje për dimër kjo ka qenë arsyeja pse kemi kërkuar që të vendosen masat emergjente para dy muajve dhe po kërkojmë që këto të zgjaten duke marrë parasysh që pritet të jetë dimër i vështirë”, ka thënë Rizvanolli.
Ministrja shtoi se krahas masave emergjente që janë marrë dhe që mund të merren gjatë muajve në vijim varësisht nga situata, tha se është duke vazhduar edhe subvencionimi i faturave të energjisë elektrike për ata qytetarë të cilët kursejnë energjinë.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti
Rizvanolli tha se në kuadër të subvencionimit për shtatë muaj janë paguar mbi 45 milionë euro.
“Ndërkohë po vazhdon subvencionimi i faturave të energjisë elektrike, ku deri tani për muajt shkurt deri në gusht janë paguar 46 milionë e 567 mijë e 746 euro dhe kjo do të vazhdoj edhe gjatë muajve në vijim deri në shfrytëzimin e 90 milionëshit që është zotuar në shkurt”, tha Rizvanolli.
Ajo tutje shtoi se Qeveria ka ndarë edhe 6 milionë euro me qëllim të subvencionimit të konsumatorëve fundor për zbatimin e masave për kursim të energjisë, ku skema e subvencionimit pritet të lansohet brenda dy javëve në vijim.