Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencën e përjavshme për shtyp, deklaroi se ambasadorja amerikane “flet si guvernatore” dhe “shkon në një super harmoni me elementë të diskredituar kombëtarisht dhe botërisht si Edi Rama apo Taulant Balla”.
“Zotimi i ambasadores se zyrtarët amerikanë nuk takohen me persona të dezinjuar është një deklaratë sikur ta kishte bërë Edi Rama, sepse është gënjeshtër. Zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit takohen me të dezinjuar apo edhe me “kukulla” të Vladimir Putinit. SHBA është aksioneri kryesor i sigurisë së botës së lirë dhe ne, në opozitë dhe pushtet, besojmë se duhet të bëjmë çdo kontribut të mundshëm që ky funksion të përmbushet në interesin më të mirë të vendit dhe paqes në botë.
Natyrisht, nuk bëhet fjalë këtu për marrëdhënie me Sorosin dhe mafien e tij. Ka një zotim solemn: “Non grata” do jetë vendimi i qeverisë së PD-së për Sorosin. Në rastin konkret, ambasadorja që flet si guvernatore, siç e keni parë, shkon në një super harmoni me elementë të diskredituar kombëtarisht dhe botërisht si Edi Rama, Taulant Balla, etj.
Po marr vetëm një shembull. Këtu erdhi në një udhëtim sekretari Mike Pompeo. Ishte lënduese për reputacionin e miqësisë mes dy vendeve, kur atë e pritën dy mafiozë të damkosur: Taulant Bego Yaris dhe Alket Hyseni. Unë mendoj se zonja ka përgjegjësi. Alket Hysenin e kanë larguar nga deputet dhe partia si mafia e pronave në Sarandë.
Taulant Bego ka disa mbiemra të drogës. Edhe kjo makina e fundit nxirrte 300 kg drogë në Maqedoni ose Greqi. A mundet që konferenca e 100-vjetorit, dhe kjo e detyroi sekretarin, që në njoftimin e tij, t’i vinte vizë këtyre takimeve. Takova, tha, vetëm përfaqësuesit e opozitës iraniane”, tha Berisha.
“Përveç kësaj, u bë e famshme ajo fraza e barit. Enver Hoxha u thoshte shqiptarëve që edhe bar do hamë dhe nuk do u nënshtrohemi imperalistëve amerikanë, kurse zonja u tha demokratëve edhe bar do hani. Unë i kam deklaruar se pa kërkesë ndjesë publike, ajo nuk takohet me Sali Berishën. Pavarësisht se është përfaqësuese e vendit më të fuqishëm në botë, jashtë gabimit nuk del askush dhe arroganca nuk është virtyt”, shtoi Berisha.