Vrasja e mësueses britanike Sabina Nessa nga shqiptari Koçi Selamaj ishte një ndër lajmet kryesore në mediat britanike për muaj me radhë, për vetë motivet e paqarta që e shtynë autorin të kryente këtë krim makabër.
Kësaj herë është vetë babai i vrasësit të Sabina Nessa që i lutet djalit të tij të rrëfejë arsyet që e shtynë të bëjë një akt të tillë mizor.
Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në shtator të vitit 2021 në Britani, kur 28-vjeçarja Sabina Nessa u gjet e vrarë në lindje të Londrës. Në trupin e saj u gjetën shenja dhune dhe mbytjeje.
Për vrasjen e 28-vjeçares shqiptari Koçi Selamaj është dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia britanike.
“The Mirror”, shkruan se i ati i të dënuarit, 71-vjeçari Bashkim Selamaj, ka udhëtuar për herë të dytë drejt burgut ku djali i tij vuan dënimin për t’i kërkuar atij të tregojë se përse e ka bërë vrasjen, por ky i fundit ka refuzuar të dalë nga qelia për të takuar babain.
Koçi Selamaj ka ndërprerë kontaktet me familjarët e tij dhe vijon të vuajë dënimin me burg të përjetshëm pasi mbyti me një trekëndësh rreziku mësuesen 28-vjeçare.
12 muaj pas vrasjes ish-punëtori i çelikut tregon nga shtëpia e tij në Elbasan se djali i tij është ndier i turpëruar për ta takuar.
“Koçi ka karakter të fortë. Ai e ka kuptuar se çfarë ka bërë dhe i vjen turp nga vetja. Turpi e bën atë mos të më takojë mua apo motrën e tij, e cila gjithashtu ka tentuar ta takojë. Ai nuk do të më thotë se pse e vrau atë vajzë. Unë dua ta dëgjoj nga ai se pse e bëri”, është shprehur i ati i të dënuarit.
Koçi e ka pranuar se e ka kryer vrasjen e Sabinës në Cator Park Kidbrooke.
Babai i të dënuarit shprehet se vrasja e 28-vjeçares ka shkaktuar një tragjedi të madhe në familjen e tij. Ai thotë se ndien dhimbje për vdekjen e mësueses së re, e po ashtu për djalin e tij, i cili nuk dëshiron ta takojë që prej 12 muajsh.