Mbrëmja e sotme rezervon supersfidën ndërmjet Çelsi dhe Milan, dy skuadrave pretendente në Grupin E.
Blutë e Londrës ku aktivizohet Armando Broja kërkojnë fitoren e parë në këtë edicion të Champions, pas një humbje dhe një barazimi në ndeshjet e para. Sfida me Milanin kryesues është idealja për t’u ringritur, por misioni nuk është i lehtë.
“Jam mjaft i impresionuar. E dimë mënyrën si synon Milani të sulmojë dhe si mbrojnë. Kanë një lojtar si Giroud, të cilin ne të Chelsea e njohim mjaft mirë. Gjithashtu, është Leao, një futbollist i nivelit botëror. Kërkuam ta blinim gjatë merkatos së verës, por tani e kemi si rival. Askush nuk e di çfarë mund të ndodhë në të ardhmen. Milani është një skuadër e madhe dhe e kemi të qartë që duhet të jemi perfektë për ta fituar këtë sfidë”, u shpreh Potter.
Ndërsa Stefano Pioli tha: “Përballemi me një kundërshtar të fortë dhe të motivuar prej ndryshimit të trajnerit. Kemi mentalitetin dhe mënyrën tonë të lojës, do të provojmë t’i zbatojmë në fushë. Duhet të jemi kompaktë dhe të kujdesshëm në fazën mbrojtëse. E rëndësishme është të shfrytëzojmë karakteristikat tona dhe të tregojmë shpirtin e zakonshëm të garës. Duam të shkruajmë historinë tonë në një event kaq të rëndësishëm”.
Në takimet e tjera, edhe Juventusi kërkon fitoren e parë në përballjen me Maccabi Haifa, teksa Paris Saint Germain luan në trasfertë me Benfica. Manchester City pret danezët e Fc Kopenhagen dhe Reali sfidon ukrainasit e Shakhtar.