Piloti holandez i motoçikletave, Victor Steeman ndërroi jetë si pasojë e frakturave të shumta që mori pas një gare në Portugali të martën e kaluar. Lajmin e bëri të ditur Federata Ndërkombëtare e Motoçiklizmit (FIM), e cila deklaroi vdekjen 22-vjçarit.
Steeman ishte duke garuar në kampionatin e Supersport World 300 fundjavën e kaluar, ku u përfshi në një aksident në xhiron e 14 në pistën ndërkombëtare të Algarve, sipas deklaratës zyrtare të FIM.
Piloti i Kawasaki-t mori ndihmën e menjëhershme mjekësore nga ana e stafit mjekësor në pistë, përpara se të transportohej me helikopter për në Spitalin e Faros. Por, fatkeqësisht ai nuk arrit dot ti mbijetonte plagëve të marra.
Në një deklaratë zyrtare të shpërndarë nga FIM, familjarët e 22-vjeçarit u shprehën se përtej humbjes së tyre, ato ishin tepër krenarë që heroi i tyre arriti të shpëtojë jetën e 5 personave të tjerë, duke dhuruar organet e tij.
“Duam të falënderojmë të gjithë ata që kanë qëndruar pranë nesh në këto ditë të vështira. Ne do të na mungojë pa fund Viktori ynë”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e familjarëve.
Ndërkohë, mesazhet e ngushëllimit kanë ardhur edhe nga Federata Botërore e Superbike, e cila me anë të një postimi në rrjetet sociale, tha se u qëndronte pranë familjes në këto ditë të vështira, jo vetëm për ta, por edhe për skuadrën dhe të gjitha ata që e deshën Victor-in.