Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka dhënë sot masën e sigurisë “Arrest me burg” për Martina Pajollarin, e cila dyshohet si e përfshirë në vrasjen e Martin Çeços. Lidhur me këtë ngjarje më herët janë arrestuar edhe 3 persona të tjerë.
‘Molla e sherrit’ Martina Pajollari, e njohur si Tina, u arrestua pasi konfirmoi para policisë se ka qenë e pranishme në vendin e krimit. E gjitha nisi me dëshirën e familjes së Martinit për ta fejuar djalin me Martina Pajollarin, që në zonë e njohin Tina.
Nga dëshminë e saj ka pranuar se ishte e pranishme në vendin e krimit, por më pas para mediave e ka mohuar duke thënë se është ndjerë nën presionin e policisë. Të dyshuar për vrasjen që tashmë ndodhen pas hekurave janë Valter Mollaj i mbështetur nga Edlir Mollaj dhe i shoqëruar nga bariu i tij Blenti Angjo.
Dëshmia e saj në polici se ka qenë në vendin e krimit ku u ekzekutua Martin Çeço dhe u inskenua si vetëvrasje është mbështetur dhe nga Blenti Angjo. Pista e hetimit lidhet vetëm me vrasjen për shkaqe xhelozie, pasi paraprakisht dyshohet se vajza ka pasur lidhje dashurie me 43 vjeçarin Valter Mollaj, i martuar. Fakti që të rinjtë flisnin shpesh me njëri tjetrin zemëroi Valter Mollajn, i cili planifikoi vrasjen e të 26 vjeçarit.