Në këtë anë flitet shqip, lexohet shqip dhe jetohet shqip… Por, historia dhe fuqitë e mëdha padrejtësisht e lanë këtë territor jashtë juridiksionit të një shteti shqiptar.
Bëhet fjalë për Luginën e Preshevës, një zonë që përfshin Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, ku shqiptarët kanë qenë shumicë, por aktualisht përballen me sfida të mëdha ekzistenciale, nën pushtetin e dorës së hekurt të Serbisë.
Tashmë, banorët e Luginës kanë mundësinë historike të tregojnë që shqiptarët kanë qenë, vazhdojnë të jenë dhe do të ekzistojnë në ato troje për aq kohë sa kjo botë do të rrotullohet dhe dielli të lëshojë rreze mbi të. Jo vetëm aq, por edhe të konfirmojnë që janë shumicë. Kjo mundësi vjen nëpërmjet censusit, regjistrimit të popullsisë në Serbi, në të cilin po marrin pjesë dhe shqiptarët, për herë të parë në 20 vitet e fundit.
Financimi nga Bashkimi Europian dhe monitorimi nga afër i OSBE-së dhe Eurostat, ka kthyer besimin në Luginën e Preshevës. Interesimi i qytetarëve për t’u regjistruar nuk ka munguar, të cilët kanë përqafuar këtë mundësi, duke u kthyer nga diaspora por edhe nga Kosova, vetëm për të treguar që shqiptarët janë aty, autoktonë në Luginë.
Por, sa pritet të jetë numri real i shqiptarëve në Luginën e Preshevës? Shaip Kamberi, deputet shqiptar në Parlamentin e Serbisë, shprehet: “Ajo që presim është që të ruajmë nivelin e vitit 2002. Pra, 55 000-60 000 banorë këtu, ndërsa rreth 40 000 në diasporë. Në total, 100 000 shqiptarë”.
Pjesëmarrja në këtë census, konsiderohet dhe si metodë shërimi për të gjithë ata shqiptarë, të cilëve shteti serb u ka pasivizuar adresat e banimit. Pasivizimi i adresave ishte vetëm një metodë e presionit dhe diskriminimit nga shteti serb, që duket se ka një paketë të dedikuar për të frikësuar shqiptarët. Pushteti përdor gjithçka që mundet, nisur nga moslejimi i shpalosjes së flamurit kombëtar e deri tek qarkullimi me automjete ushtarake. Por, shqiptarët nuk frikësohen.
Gjendur përballë kësaj situate, që shpesh konsiderohet krizë për ekzistencë, sytë janë drejtuar nga shteti amë, Shqipëria, por edhe nga Kosova për ndihmë dhe mbrojtje.
Kur i pyet për dëshirën apo ëndrrën e një shqiptari të Luginës, ata përgjigjen kështu: “Zgjidhja e vetme është ripërcaktimi i kufirit, që të bashkohemi me Kosovën. Ky është i vetmi shpëtim për këtë vend. Me Serbinë nuk na lidh asgjë”.