Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i vendit, Albin Kurti kanë pritur sot në takime ndaras delegacionin e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit të Portugalisë, të kryesuar nga kryetari i këtij komisioni Sergio Souza Pinto.
Me delegacionin portugez, Presidentja Osmani ka diskutuar për raportet ndërshtetërore dhe mbështetjen e Portugalisë për sa i takon procesit të liberalizimit të vizave dhe anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Sipas Presidentes Osmani, Komisioni Evropian, ka rekomanduar heqjen e vizave për Kosovën, ngase Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret. Prandaj, sipas Osmanit vendimmarrja politike gjatë Presidencës Çeke është më se urgjente dhe hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave nuk duhet të mbetet peng i asnjë teknikaliteti.
Presidentja më tej në takim më delegacionin portugez ka folur edhe për rëndësinë e pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Sipas saj, anëtarësimi në këtë organizatë avancon liritë dhe të drejtat e njeriut. Në këtë kontekst, ajo ka falënderuar Portugalinë për mbështetjen e deritashme.
Në takim, u shfaq gatishmëria e dyanshme për shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e bashkëpunimit ndërmjet të dyja parlamenteve, sikurse edhe në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes, arsimit, turizmit dhe sfera të tjera të interesit të përbashkët.
Edhe kryeministri Albin Kurti ka pritur sot delegacionin nga Parlamenti i Portugalisë.
Duke folur në emër të delegacionit, deputeti nga radhët e Partisë Socialiste e cila drejton Qeverinë e Portugalisë nga viti 2015, Sergio Sousa Pinto tha se së bashku me deputetin de Sa, që vjen nga radhët e Partisë Social Demokrate, përfaqësojnë konsensusin nacional të Portugalisë sa i përket rajonit.
Në njoftimin për media të Kryeministrisë thuhet se si vend mik dhe aleat i Kosovës, ai konfirmoi mbështetjen e Portugalisë drejt integrimit të plotë të Kosovës në strukturat euro-atlantike, BE dhe NATO.
Në takim u tha se Portugalia gjithashtu mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën pa kushte të reja.
Kurti falënderoi Portugalinë për mbështetjen e hershme dhe të vazhdueshme ndaj vendit, popullit dhe shtetit tonë, veçanërisht në fushën e sigurisë nëpërmjet trupave të saj në kuadër të misionit të KFOR-it.
Ndër të tjera, ai foli për rolin e rëndësishëm që Portugalia mund të luajë në raport me vendet mos-njohëse, me theks te Spanja dhe Brazili.
Sa i përket marrëdhënieve të mira dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Portugalisë, kryeministri Kurti bëri ftesë për rritje të shkëmbimeve tregtare, kulturore dhe ekonomike teksa e njoftoi delegacionin me indikatorët më të fundit ekonomikë dhe demokratikë të vendit si dhe mundësitë që Kosova ofron për investitorë të huaj.
“Në fund, u shkëmbyen këndvështrime në lidhje me luftën në Ukrainë, për të cilën ndanë qëndrime të njëjta duke e cilësuar atë si akt agresioni të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Federatës Ruse ndaj popullit dhe shtetit të Ukrainës. Kryeministri Kurti e njoftoi delegacionin portugez për vendimet e menjëhershme të Qeverisë së Republikës së Kosovës në ngritjen e sanksioneve ndaj Rusisë në përputhje me sanksionet e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar si dhe për programin e Qeverisë për akomodimin e 20 gazetarëve ukrainas, 11 prej të cilëve tashmë janë banorë të Prishtinës. Ai shtoi se solidariteti ndaj Ukrainës duhet të vazhdojë”, thuhet në njoftim.