Rolls-Royce ka njoftuar se do të nisë vitin e ardhshëm prodhimin e makinës së parë elektrike. Mjeti i ri, i quajtur Spectre, ka vetëm dy dyer, por është më i gjatë se një SUV. Spectre do të ketë maskarinon më të madhe se çdo Rolls-Royce i prodhuar më parë dhe parashikohet të jetë makina më aerodinamike e markës britanike.
“Ky është një hap i rëndësishëm për ne, pasi synojmë që të kalojmë në prodhimin e makinave vetëm elektrike brenda vitit 2023”, tha shefi ekzekutiv i Rolls-Royce Torsten Müller-Ötvös, për CNN Business. “Kështu që duam të sigurohemi që kjo makinë të ketë gjithçka perfekte”. Modeli është bazuar te Silver Ghost, një makinë e prodhuar nga Rolls-Royce në vitin 1906 dhe që e ngjiti kompaninë në majën e prodhimit të makinave cilësore.
Makina peshon rreth 3000 kilogramë, por falë dy motorëve elektrikë arrin deri në 557 kuaj fuqi dhe do të mund të shkojë nga 0 në 100 kmh në 4,4 sekonda. Me një karikim të plotë të baterisë makina do të mund të përshkojë plot 418 kilometra distancë. Çmimi i makinës nuk është caktuar ende, por parashikohet që të arrijë në 400 mijë paund.