Ministrat e Ballkanit Perëndimor do të bien dakord të premten për udhëtimin pa letërnjoftime midis gjashtë vendeve dhe për njohjen reciproke të diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale, duke hedhur një hap drejt anëtarësimit në BE.
Kjo u konfirmua nga ministrja e Jashtme gjermane, Annalana Baerbock.
Ajo tha se kjo nënkupton që Kosova dhe Bosnja do t’ia heqin vizat njëra-tjetrës.
“Me këto marrëveshje, popujt e vendeve të tyre do të jenë në gjendje të kalojnë kufijtë e shteteve të Ballkanit vetëm me letërnjoftime. Universitetet do t’i pranojnë diplomat e njëri-tjetrit. Kjo mund të duket si teknikalitet, por janë hapa historikë. Do të thotë se boshnjakët dhe kosovarët e rinj do të vizitojnë njëri-tjetrin pa viza”, u shpreh Baerbock në konferencën për Ballkanin Perëndimor në Berlin.
Ajo tha se këto tre marrëveshje hapin rrugën për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal të Ballkanit Perëndimor.
“Duke ngritur këtë treg, ju po bëni një hap të rëndësishëm përpara në procesin e pranimit në BE”, tha Baerbock përpara një takimi të zyrtarëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në Berlin.
Ajo shtoi se marrëveshjet do të nënshkruhen zyrtarisht në një Samit të Ballkanit Perëndimor në Berlin në nëntor.
Baerbock tha se ishte prioritet për qeverinë gjermane që të sillte vendet e Ballkanit Perëndimor në BE për të siguruar stabilitet dhe përparim ekonomik në rajon.
“Unë ju bëj thirrje të gjithëve që të shpejtoni reformat tuaja në interes të qytetarëve tuaj”, u tha ajo ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor të mbledhur në Berlin.