Me pamjet e mahnitshme nga Deti i Veriut, vila e njohur ndryshe si ‘Red House’ arrin në vlerë rreth 2 milionë paundë.
Por erozioni bregdetar në disa zona të Suffolk në verilindje të Britanisë jo vetem u ka ulur atyre vlerën por dhe sigurinë.
Prona e ndërtuar në vitet 1920 nisi shkatërrimin kësaj jave teksa pronarët e saj zemërthyer Richard Moore, 76 vjeç, drejtor i klubit Ipswich Town FC, dhe gruaja e tij Sheila, 73, morën lajmin se nuk është më e sigurtë të jetohet aty.
Rreth 20 metra nga kopshti para shtëpisë janë marrë tashmë nga erozioni ndërsa vetë shtëpia me tulla të kuqe është tashmë 15 metra larg humnerës së cekët të rërës.
Moore dhe gruaja e tij e kanë blerë pronën para 25 vjetësh dhe e jepnin me qera si shtëpi pushimi.
Ata nuk kanë komentuar, por një banor i zonës tha për Daily Mail: “Ata janë mërzitur shumë që ka ardhur puna deri këtu. Shtëpia e Kuqe ishte shumë e bukur dhe është gjynah që po shembet. Mund të kishin shpenzuar për barrierat e tyre detare siç kanë bërë disa nga fqinjët e tyre, por gjithsesi nuk i ndalon dot përgjithmonë forcat e natyrës”.
Producentja televizive britanike Lucy Ansbro, 53 vjeçe, e cila jeton ngjitur me shtëpinë, me partnerin Matthew Graham thanë se kanë shpenzuar ‘qindra mijëra paundë’ tetorin që shkoi për të vendosur 500 gurë secili me peshë 3 ton në fund të pjesës së prerë të shkëmbit për të mbrojtur shtëpinë e tyre.
Zonja Ansbro tha: “Na dhanë lejen si situatë emergjencë pasi shtëpia jonë ishte në rrezik më shumë se Shtëpia e Kuqe asokohe. Shpenzimet i bëmë vetë, diskutuam për ta bërë edhe me Shtëpine e Kuqe por ata nuk kishin fondet gati”./Daily Mail/